Tirana dhe Prishtina zyrtare kanë dalë me një rezolutë të përbashkët në kundërshti të planit 6-pikësh të paraqitur nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon, për implementimin e misionit EULEX në Kosovë.

Në një prononcim për mediat delegacioni i komisionit të jashtëm kosovar, i kryesuar nga Sabri Hamiti dhe ai për palën shqiptare, Preç Zogaj, kundërshtuan raportin i cili do të diskutohet sot në OKB.

Për palën kosovare tendenca për ndarjen e Kosovës mund të konsiderohet një aventurë e dështuar që mund të ndikojë në destabilitetin e rajonit.

Sabri Hamiti: “Tendenca që të ndahet Kosova do të jetë tendencë e dështuar. Ai që merr aventurën që të ndajë pjesë sot qoftë në Kosovë e merr aventurën e destabilitetit të të gjithë një rajoni sepse atëherë bëhet precedent dhe kërkujt nuk mund t’i thuash që merr përqindjen e 5% e në Ballkan ju e dini 5% nacionale ka kudo ose 7% të mos shprehë kërkesat e veta”.

Preç Zogaj në emër të komisionit të jashtëm për palën shqiptare theksoi bashkëpunimin mes dy vendeve si dhe atë të faktorit ndërkombëtar në këtë moment kyç për shqiptarët e Kosovës.

Preç Zogaj: “Edhe Shqipëria dhe Kosova kanë qenë shumë bashkëpunues me faktorin ndërkombëtar dhe shumë luajal dhe njihet kjo nga të gjithë dhe do të vazhdojë me këtë rrugë edhe komisioni ynë edhe institucionet tona dhe ato të Kosovës janë shumë të lumtur që kanë miq dhe partnerë në Perëndim, por zgjidhje që vijnë nga pallate prej xhami që priren të korrigjojnë ato zgjidhje që kanë buruar nga sakrifica të mëdha nuk kanë perspektivë”.

Reagimi i Tiranës dhe Prishtinës zyrtare vjen pikërisht sot kur Këshilli i Sigurimit në OKB pritet të mblidhet për të diskutuar planin e shumëdebatuar prej 6 pikësh të Bank Ki-Moon-it që pritet t’i hapë rrugë funksionalizimit të misionit të BE-së në Kosovë në fillim të muajit Dhjetor./tvklan.al