Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Kontigjenti i ushtarëve shqiptarë, i cili kryen misionin paqeruajtës në Irak është zhvendosur në aeroportin e Mosulit, por misioni i tij është dhe patrullimi, kontrolli, si dhe detyra të tjera paqeruajtëse në një zonë më të gjerë. Këto kanë qenë deklaratat e dhëna nga shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë shqiptare, i cili ka sqaruar se ka kohë që trupat tona paqeruajtëse i kryejnë edhe këto detyra.

Pëllumb Qazimi: “Trupat tona që janë në Irak, nuk është çështja që ruajnë vetëm aeroportin, misioni i tyre përmbyset duke kryer disa detyra edhe detyra të ruajtjes edhe detyra të patrullimit edhe detyrat e kontrollit, jo sot, por që në momentin e parë që ato janë angazhuar. Ata janë vendosur në aeroport, por detyrat i kryejnë edhe jashtë aeroportit”.

Po ashtu në lidhje me interesimin dhe kontaktet që kanë instancat e kësaj ministrie me trupat paqeruajtëse në Irak, Qazimi tha:

Pëllumb Qazimi: “Ne me ta kemi kontaktuar dhe gjatë ditës së djeshme dhe në mënyrë të përhershme, ata vazhdojnë të kryejnë detyrën me profesionalizëm pa pasur ndonjë problem”.

Këto deklarata Pëllumb Qazimi i bëri gjatë një takimi që zhvilloi me homologun e tij maqedonas, gjeneral Bojadiev, ku u evidentua niveli i lartë i marrëdhënieve midis dy forcave tona të armatosura në prag të samitit të Stambollit./tvklan.al