Opozita zhvilloi protestën e parë kombëtare të mosbindjes civile me kërkesë kryesore krijimin e qeverisë teknike që do merrej me mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare vitin e ardhshëm.

Fillimisht u hodhën molotovë e lëndë piroteknike drejt Kryeministrisë e mbrojtur nga forcat e policisë. Para godinës qeveritare pati edhe një përplasje mes deputetëve demokratë e protestuesve me policinë, pasi u tentua të çahej kordoni policor. Aty o dogj edhe një nga pemët para godinës.

Nuk zgjati shumë beteja me godinën e qeverisë. Dyert e saj ishin blinduar me veshje metalike. Në shtyllat përballë me kryeministrinë të lyera me graso ishin vendosur kamera monitorimi me rezolucion të lartë per identifikimin e protestuesve të dhunshëm. Protestuesit brohorisnin ‘Rama ik’ dhe mbanin pankarta në duar ku shkruhej bëjeni Shqipërinë të lirë sërish.

Ata kërkuan lirimin e liderit demokrat Berisha dhe ish-deputetit të burgosur Ervin Salianji.

Marshimi i protestuesve opozitarë ka vijuar më pas drejt selisë roze ku sërish u hodhën molotovë dhe fishekzjarre. Forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës dhe ujë me presion nga autobotët për të shpërndarë turmën.

I njëjti skenar me dhunë e flakë ka vijuar edhe ndaj godinës së bashkisë së kryeqytetit dhe ministrisë së Brendshme. Një nga policët ka marrë lëndime të lehta nga flakët ndërkohë që atij i kanë ardhur në ndihmë kolegët aty pranë. Policia njoftoi se gjatë protestës u lënduan dhjetë punonjës të rendit.

Forcat e rendit përdorën sërish aty gazin lotsjellës dhe ujin me presion për të shpërndarë turmën.

Protesta e opozitës u shtri edhe në rrugë të tjera të Tiranës ku u dogj edhe një stacion i autobuzëve urbanë dhe një kazani plehrash. Gjatë protestës pati kaos e probleme edhe me trafikun e automjeteve.

Protestuesit goditën edhe autoambulancat të cilat ju erdhën në ndihmë forcave policore. Pas më shumë se tre orësh kjo protestë e dhunshme e Partisë Demokratike u mbyll pranë selisë së saj.

Rreth 1500 forca policie ishin në terren në mbrojtje të institucioneve, duke nisur nga ato të rendit, FNSH, Shqiponjat dhe forcat RENEA.

Klan News