Edhe pse vijon të jetë ende e brishtë përballë lekut, monedha europiane e ka mbyllur javën në kufijtë e 100 lekëve në tregun valutor të këmbimit.

Më konkretisht, referuar këtij tregu si në blerje ashtu edhe në shitje, 1 Euro është këmbyer nga 99.9 në 100 lekë. Kjo tendencë e euros në këto norma vijon prej rreth 3 muajsh, situatë e cila është e pritshme sipas agjentëve të tregut valutor, e aq më tepër kur jemi pothuajse në kulmin e sezonit turistik, kur ka një qarkullim të madh të valutave të huaja.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë agjentët e kursit të këmbimit presin që monedha europiane të pësojë dobësim të mëtejshëm në muajt në vijim, ndikuar drejtpërdrejt nga flukset e mëdha turistike në vendin tonë.

Monedha europiane rezulton rreth 13 pikë më e ulët nëse e krahasojmë me të njëjtën periudhë të vitit 2023. Për të frenuar dobësimin e mëtejshëm të Euros, përgjatë periudhës Janar-Mars të këtij viti, Banka e Shqipërisë ka tërhequr nga tregu rreth 33 milionë euro duke pasur si synim rritjen e rezervës valutore.

Për shkak të kësaj situate të tregut valutor gjatë 3 muajve të fundit, Banka Qendrore ka zhvilluar tre ankande, ndërsa gjatë verës parashikohet që ndërhyrja të vijojë. Deri në fund të vitit, Banka e Shqipërisë ka parashikuar të tërheqë nga tregu rreth 330 milionë euro, hapa të ngjashëm nga ky institucion financiar u ndërmorën edhe gjatë vitit të shkuar.

Klan News