Politikat e ndërmarra nga kreu i Elysee për çështjen e islamit kanë çuar në rritje të akteve diskriminuese

Gratë që mbajnë hixhab në Francë ndihen të frikësuara nga balotazhi presidencial Le Pen-Macron. Sipas tyre të dy politikanët dëshirojnë që ky simbol fetar të hiqet në hapësirat publike por prej vitesh një gjë e tillë është kundërshtuar nga besimtarët  pasi feja islame nuk është zgjedhje politike por personale. Shifrat e ministrisë së brendshme tregojnë një rritje të akteve diskriminuese dhe të islamofobisë vitet e fundit.

Që kur Lisa Troadec u konvertua në Islam dhe filloi të mbante hixhab, francezja thotë se ka vuajtur nga abuzimi verbal.

Tani, Troadec shqetësohet mbajtja e shamisë do të ndalohet vetëm nëse figura e ekstremit të djathtë Marine Le Pen fiton balotazhin presidencial të së dielëskundër presidentit aktual Emmanuel Macron.

Këmbëngulja e Le Pen për ndalimin e hixhabit nga gratë myslimane në hapësirat publike, sipas Troadec, do të ishte një akt diskriminimi ndaj shumicës së fortë të muslimanëve të cilët i përmbahen vlerave strikte laike të Francës.

‘’Politikanët po aplikojnë një logjikë politike për diçka që nuk është aspak politike, por që është intime. Veshja e mbulesës është me të vërtetë një zgjedhje shumë personale dhe nuk është aspak një zgjedhje politike. Dhe është e vërtetë që sapo fillova të mbaj mbulesën zbulova, hasa dhe përjetova situata traumatike të racizmit në hapësirën publike.’’

Me shpresën për ta mbajtur Le Penin jashtë pushtetit, Lisa do të votojë për Macron. Politikat e ndërmarra nga kreu i Elizesë për çështjen e islamit i kanë lënë besimtarët të zhgënjyer se në Francë ka ndjenja anti-myslimane në rritje.

Shifrat e ministrisë së brendshme tregojnë një rritje të akteve diskriminuese dhe të tjera anti-myslimane në vitin 2021. Macron gjatë fushatës së tij është shprehur se  do të vazhdojë të luftojë atë që ai e quan “separatizëm islamik” dhe do të mbrojë çdo qytetar të praktikojë lirisht besimin e tij. Ai thotë se është kundër ndalimit të simboleve fetare në hapësirat publike.

Le Pen dëshiron të nxjerrë jashtë ligjit mbajtjen e hixhabit në hapësirat publike, por jo të simboleve të tjera fetare. Ajo ka premtuar se do  të luftojë ideologjitë islamike që ajo i quan totalitare. Gjatë pesë viteve të fundit, qeveria Macron ka miratuar një sërë ligjesh dhe masash që synonin të trajtonin ekstremizmin fetar dhe të ruanin vlerat laike kombëtare por kjo ka bërë që shumë muslimanë të ndjejnë se islamofobia është në rritje.

Klan News