Lajme Arkiva 2003

Ndërron jetë në reanimacionin e Spitalit Ushtarak Gani Malushi, oficer policie në karrierë, aktualisht shef i komisariati të Krujës. Malushi u qëllua një ditë më parë përpara spitalit të Durrësit në një atentat ku mbeti menjëherë pa jetë shoferi i tij Gjovalin Ndreu.

Me gjithë ndihmën shëndetësore të dhënë në Spitalin e Durrësit dhe më pas në Spitalin Ushtarak i plagosuri kishte dëmtime të rënda nga tre plumba automatik. Që pas operacionit që zgjati më shumë se 4 orë zemra e komisarit 50 vjeçar funksiononte vetëm me ndihmën e aparatit të sallës së reanimacionit. Gjatë 24 orëve i plagosuri pësoi 3 infarkte dhe ka qenë infarkti i fundit që shkaktoi vdekjen. Të traumatizuar e kanë pritur lajmin familjarët e Malushit si edhe kolegë të vjetër të policisë.

Gani Malushi, prej 20 vitesh punonte si oficer dhe drejtues policie në vende të ndryshme të vendit. Njihet si një nga komisarët që arriti të arrestonte Lul Cakën dhe disa nga anëtarët e bandave të rrezikshme në Berat.

Në verë të vitit ’99 Gani Malushi mori detyrën e shefit të komisariatit të Tropojës në një kohë që qyteti kishte kaluar disa atentate dhe mbarte mjaft elementë kriminalë nga trazirat e ’97-’98. Prej muajsh, Malushi bën detyrën e shefit të komisariatit të Krujës dhe ishte konsideruar si një nga kandidaturat për shef komisariati në Durrës.

Varrimi i Gani Malushit pritet të bëhet nesër me një organizim të veçantë zyrtar për një nga efektivët e vjetër të policisë së shtetit./tvklan.al