Lajme Arkiva 2003

Pjesa e antikitetit në Durrës rrezikon mjaft nga bumi i ndërtimeve që ka përfshirë qytetin bregdetar. Alarmi rivihet në dukje nga arkeolog dhe historian të cilët kërkojnë rizgjimin e qytetit. Ata njëzëri janë për formulimin e amendamenteve të posaçme për ruajtjen e monumenteve historike.

Neritan Ceka: Duhet të bëjmë një zonifikim urgjent të reflektuar në ligj. Zona të cilat duhet të përjashtohen nga çdo lloj ndërtimi në mënyrë që ti japim mundësi  në dekadat e ardhshme krijimit të një parku të madh arkeologjik në Durrës i cili krahas vlerave të tjera, kulturore artistike, ekonomike do të thoja, për të mos përmendur këtu plazhin fillimin e korridorit të 8 do të krijonte në të ardhmen edhe profilin tipik të Dyrrahut.

Nga studimet del se gjendja aktuale e thesareve të antikitetit lë mjaft për të dëshiruar. S’është bërë thuajse asgjë për të ruajtur monumentet e zbuluara prej vitesh si amfiteatri apo edhe banjot romake. Lënia jashtë vëmendjes dhe mungesa e fondeve ka sjell rrënimin e këtyre veprave që nesër mund të përbëjnë tërheqjen kryesore të turistëve. Gjithçka është folur në kuadrin e seminareve ndërkohë që kërkohet ndihmë për rizgjimin e këtij qyteti./tvklan.al