Franko dhe Sanja janë vëlla e motër që në “Ka Një Mesazh Për Ty” i ka sjellë një arsye shumë e fortë: mamaja. Për të dy ata, ajo është njeriu i tyre më i shtrenjtë, por kanë secili ‘pengjet’ e veta kundrejt saj.

I pari që nis të tregojë anën e tij të historisë në rubrikën nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan është Franko. Ai është një personazh i njohur si publikun pasi ka qenë pjesë e disa trupave baleti. Baleti ka qenë ëndrra më e madhe e Frankos që e ka filluar në moshë të vogël dhe vendosi ta ndiqte duke shkuar deri në Francë. Ai kujton momentin e vështirë të ndarjes në aeroport nga nëna e tij.

Franko: Ai moment ishte jashtëzakonisht i vështirë, por tashmë rruga ishte ndërmarrë dhe unë duhet ta gjeja forcën që të përballesha me sfidën dhe me të gjithë karrierën time që do të vazhdonte në atë shtet që unë po shkoja.

Ardit Gjebrea: Si shkoi në Francë?

Franko: Në Francë përfundova 2 vitet që kisha studimet në Rosella Hightoëer në Kanë të Francës. Mora diplomën dhe të gjithë njerëzit më thoshin provo, provo të qëndrosh andej. Të them të drejtën, jam pak tip i sinqertë dhe e tregoj, kam guxim ta tregoj të vërtetën time. Provova në 3 audicione, sigurisht kërkesat janë shumë të larta, bëhej fjalë  për 200-300 djem që provoheshin nëpër audicione dhe në në fund fare përzgjidheshin vetëm 4-5 djemtë që do të vazhdonin në një kompani të caktuar. Në këto 3 audicione unë nuk pata fatin të përzgjidhesha, nuk u bëra pishman për veten time dhe nuk u stopova, por në veten time dhe thellë, në  brendësi të qenies time, më shtynte gjithmonë dëshira të kthehesha në vendin tim.

E njëjta histori u përsërit edhe me Sanjën. Ajo është po aq e lidhur me nënën, por studimet e kanë  dërguar deri në Vjenë  ku asgjë nuk ka qenë e lehtë. Por pavarësisht kësaj ngjashmërie, Sanja dhe Franko nuk e shprehin njësoj dashurinë ndaj nënës së tyre, Valbonës.

Sanja: Kur ika jashtë, java e parë ka qenë e tmerrshme sepse mami ka qenë ajo që gjithë  kohësmerrej me punët e shtëpisë për ne, na ndihmonte për gjërat, kuzhina…

Ardit Gjebrea: I gjeje gati me një fjalë.

Sanja: Me pak fjalë po. Kur shkova atje, u hasa me një realitet tjetër, totalisht, që nuk i kisha më prindërit aty dhe duhet t’i bëja vetë, kështu që fillova dhe më rikujtoheshin në çdo moment fjalt e mamit që  thoshte shiko se ti do të ikësh, duhet të mësosh, më jepte ato kritikat për të mirën time, por kur isha në Shqipëri nuk e kuptoja realisht, por di të them që pas javës së parë, çdo fjalë që ajo më ka thënë, çdo këshillë, prandaj dua t’i jap edhe këtë mesazh, dua t’i kërkoj falje pse nuk kam qenë pak më e vëmendshme te gjërat që ajo donte për mua. Kjo ishte edhe arsyeja  pse ne kishim dëshirë që t’i bënim një surprizë kaq të bukur këtu në Televizionin Klan.

Ardit Gjebrea: Si e keni  ju marrëdhënien e të shprehurit të dashurisë ndaj mamit?

Sanja: Tani unë jam ai personi i dashur i familjes, jam shumë ekspresive, e përqafoj para se të fle gjumë të dy, edhe mamin, edhe babin. Si e vogël që kam qenë, i puth dhe fle dhe vazhdon akoma kjo rutina ime. Për Frankon, besoj se ai mund të flasë vetë më mirë se është pak më i ftohtë mendoj.

Franko: Pikërisht. Një pikënisje kryesore që unë doja t’i jepja sot një premtim mamasë time është sepse unë jam e kundërta e motrës time. Duke u rritur me një disiplinë të hekurt për baletin, kam qenë më i akullt me mamanë time.

Ardit Gjebrea: Është ankuar ndonjëherë apo jo?

Franko: Është ankuar shpesh, i jap të drejtë plotësisht sepse përqafimet e mia të shpeshta i mungojnë. Unë përbrenda, unë e di vetë se çfarë ndiej dhe çfarë dashurie kam për të.

Ardit Gjebrea: Po pse nuk e bën?

Franko: Nuk e kuptoj akoma edhe vetë arsyen se përse nuk e jap plotëissht veten në çdo moment që ajo përqafon, në çdo moment që ajo puth dhe e ndiej si një barrë dhe një peng që unë do t’i jap një premtim sot që unë do të mundohem me doemos të ndryshoj dhe t’i jap atë afrimitetin që ajo kërkon gjatë gjithë kohës, përqafimet dhe puthjet që ajo vërtet i meriton./tvklan.al