Ndryshimet Klimatike përbëjnë një ndër sfidat kryesore në sektorin agroushqimor. Për herë të parë në Shqipëri u mbaj një konferencë për ndikimin e këtyre ndryshimeve në cilësinë e prodhimeve bujqësore, e organizuar nga Kombet e Bashkuara për Zhvillim Industrial (UNIDO) me mbështetjen financiare të qeverisë zvicerane.

Dorina Nati, koordinatore e programit global, GQSP: Klima po ndryshon dhe ne duhet të shohim për instrumente që sjellin ndryshim dhe ndërgjegjësim. Adresimi i ndryshimeve klimatike është thelbësor për të përmirësuar cilësinë dhe konkurrueshmërinë e produkteve bujqësore shqiptare.

Ruth Huber, Ambasadore e Zvicrës në Tiranë: Ndryshimet klimatike janë problematike për sektorin bujqësor dhe ka ardhur koha ta trajtojmë këtë çështje përmes hapave inovative dhe praktikave të qëndrueshme. Agrobizneset duhet të përshtaten ndaj ndryshimeve klimatike duke zbatuar standardet.

Gjatë kësaj konference u publikua dhe studimi për ndikimin e ndryshimeve kliamtike në cilësinë e produkteve bujqësore.

Edvin Zhllima, Universiteti Bujqësor i Tiranës: Ndryshimi i klimës sa vjen e bëhet më prevalent, treguesit vënë re që rritja e nxehtësisë, rritja e temperaturave shoqërohet tashmja me dukuri të forta, të cilat ndikojnë sidomos ato produkte që janë në qiell të hapur në fushë, pra bimët qofshin këto njëvjeçare apo edhe ato shumë vjeçar. Rritja e shirave në zonat veriore dhe veri-perëndimore të vendit mund të ndikojnë fort në rendimentet, por edhe në kalendarët e prodhimit dhe më pas në fund në cilësinë e produkteve tona.     

Konferenca u organizua nga UNIDO si pjesë e Programit Global të Cilësisë dhe Standardeve në Shqipëri, një nismë e gjerë që mbështet 14 vende në mbarë botën, përfshirë Shqipërinë.

Klan News