Lajme Arkiva 2003

Në Spitalin Infektiv të Tiranës nuk kemi raste me hepatit A të huazuar nga Laçi dhe s’ka shtim të pacientëve të prekur nga ky virus. Mjekët infeksionit sqarojnë se është një situatë normale. Arrin në 135 numri i të prekurve me verdhëz në Laç. Hapet një tjetër pavijon në spitalin e qytetit pasi të sëmurët nuk dërgohen më në Lezhë dhe në Tiranë.

Situata sipas mjekëve nuk duhet fryrë pasi kjo sëmundje kurohet dhe s’ka potencial vdekjeprurës. Përsa i përket vdekjes së N.M.  nga Laçi, mjeku që e kuroi për 36 orë në Tiranë, pohon se pas ekzaminimeve ai vuante nga mosfunksionimi i mirë i organeve të brendshme, përfshirë këtu dhe veshkën.

Në gjuhën mjekësore shok septik dhe insuficencë renale ku të afërmve sëmundja u është shqipëruar.

“Duke nisur nga niveli i njerëzve ne mundohemi të gjejmë edhe fraza, terma të shqipes, sepse nëse do të përdorim  fjalë latine është shumë e vështirë. U kemi thënë që ky ka zverdhjen e syve, por nuk është verdhëza që ka rënë në qytetin e tyre. Ai nuk kishte hepatitin viral A dhe unë u kam thënë mos të kenë frikë. Nuk është ai hepatiti që të keni frikë për ti shërbyer në momentet e fundit të vdekjes”.

Në qytetin e prekur nga verdhëza ka mbërritur dhe ministri i Shëndetësisë Mustafa Xhani për të parë nga afër situatën. Me urdhër të tij ka ardhur një mjeke infeksioniste dhe një laborant nga spitali i kryeqytetit për të ndihmuar pacientët. Pas analizave nga drejtoria e shëndetit publik, uji rezulton të jetë sërish i papijshëm.

Ndërmarrja e ujësjellësit është gjobitur pasi nuk ka hedhur sasinë e dobishme të klorit në tubacione./tvklan.al