Dhuna psikologjike dhe fizike e ushtruar sistematikisht ndaj 39-vjeçares, Alma Arrazi dhe 3 fëmijëve të saj të mitur, dyshohet se shtyu këta fundit të vetëmbyten duke u hedhur në ujërat e lumit Buna. Ishte një peshkatar i zonës që pikasi në ujërat e lumit trupin e pajetë të vajzës së madhe të famijes mbrëmjen së shtunës.

E mitura vetëm 9 vjeç nuk kishte shenja dhune në trup, por pavarësisht kësaj ka dyshime se së bashku me të ëmën, motrën dhe vëllain e saj janë dhunuar nga i ati i tyre, Ergys Arrazi, çka i ka shtyrë ata drejt aktit fatal. Ky i fundit tashmë është arrestuar nga policia, e cila informon se 31-vjeçari rezulton person i dënuar më parë për kultivim kanabisi dhe i proceduar për dhunë në familje.

Zyrtarisht, uniformat blu kanë deklaruar se ka qenë pikërisht 31-vjeçari që ka referuar rastin në polici më datë 3 Maj, duke pretenduar se gruaja dhe fëmijët e tij janë larguar nga banesa. Ky kallëzim ka vënë në lëvizje policinë e Shkodrës e cila pas hetimeve të thelluara ka zbuluar se Ergys Arrazi ka shtyrë familjen e tij drejt këtij akti fatal.

Megjithatë pavarësisht këtyre dyshimeve, vetë i riu ka mohuar të ketë ushtruar dhunë, teksa mësohet se në momentin që është njohur me faktin se vajza e tij 9-vjeçare është gjetur e mbytur në lumin Buna, ai ka qëndruar i heshtur dhe i ftohtë duke mos bërë asnjë reagim.

Për gjetjen e 3 trupave të tjerë, polumbarët e RENEA-s, po vijojnë kërkimet në shtratin e Lumit Buna. Nga verifikimet e kryera, Alma Arrazi me 3 fëmijët e saj, para se të ndërmerrnin aktin e vetëvrasjes ka takuar kunatën e saj, bashkëshorten e vëllait të Ergys Arrazit, të cilës nuk i ka shprehur asnjë shqetësim apo dhënë indicie se do kryente këtë akt.

Tv Klan