Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Tiranës, Ilirian Zylyftari, në prani të Ministrit të Rendit Ilir Gjoni, firmosën sot marrëveshjen për kundërvajtjet administrative. Kështu deri në formimin e plotë të policisë bashkiake, do të jenë uniformat blu të rendit, që do të zbatojnë urdhrat e bashkisë.

Më tepër kjo marrëveshje, do të konsistojë për të vjelë forcërisht gjobat, ose për të zbatuar forcërisht të gjitha detyrimet që ka vënë bashkia. Policia e rendit, në bazë të marrëveshjes, do të jetë e gatshme përherë në çdo rast që do të njoftohet nga bashkia. Gjithashtu organet e policisë së rendit, do të shpërblehen në masën 30% të shumës së gjobës së vjelë./tvklan.al