Ostreni: Metodat janë përmirësuar, nuk mund te manipulohen

Nëse tashmë merr substanca të ndaluara në sport nuk mund të shpëtosh. Mjeku sportiv Mel Ostreni na thotë se sistemi i ndërtuar nga Agjencia Ndërkombëtare e Antidopingut nuk të lejon ta manipulosh.

“Është një program ku sportistët që janë në listën e WADA duhet të informojnë për ndryshimin e adresës së tyre, të shtëpi, stërvitjes apo punës. Kështu që në këtë anë janë të mbuluar dhe e kanë kontrollin pas shpine. Edhe metodikat e kapjes së lëndëve doping përmirësohen duke bërë të mundur kapjen e tyre edhe në të ardhmen, pasi medalje të vitit 2008 janë hequr edhe këto vitet e fundit”, tha ai.

Sipas Mel Ostrenit gjithçka në dijeni të sportistit.

“Sportisti është i vetëdijshëm për atë që merr apo përdor, kështu që faji i parë është i sportistit dhe më pas i stafit që e rrethon. Askush nuk mund t’ia japë me forcë apo ta mashtrojë sportistin, sepse marrja e dopingut zgjat në kohë, pasi nuk është që unë marr sot dhe me të përfundoj”, tha ai.

Çdo 1 Janar federatat përkatëse marrin njoftimin për listën e re të substancave të ndaluara dhe vetë sportistët mund ta shikojnë në online.

“Të gjithë sportistët me anë të një kompjuteri apo telefoni mund të hyjnë të marrin njoftim për të gjithë listën e medikamenteve”, tha ai.

Në Shqipëri lufta ndaj dopingut ka nisur në vitin 2011, duke qenë një plagë e madhe veçanërisht në sportin e peshëngritjes. Kohët e fundit edhe vetë sportistët janë ndërgjegjësuar, duke arritur rezultate pa ndihmën e substancave të ndaluara.

Tv Klan