Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu mbrojti para Kongresit Amerikan, luftën e ushtrisë së tij në Rripin e Gazës.

“Në Lindjen e Mesme, aksi terrorist i Iranit përballet me Amerikën, Izraelin dhe aleatët tanë arabë. Barbarizmi po përballet me qytetërimin. Që civilizimi të triumfojë, Amerika dhe Izraeli duhet të qëndrojnë bashkë”.

Netanjahu tha se lufta izraelite kundër Hamasit në Rripin e Gazës është luftë kundër një vegle përmes të cilës Irani përpiqet të mbizotërojë në rajon. Ai falenderoi administratën Biden për ndihmat e deritanishme, por kërkoi më tepër për të mposhtur Iranin dhe mbështetësit e tij.

Fjalimi i Netanjahut u bojkotua nga disa kongresmenë demokratë, ndërsa të tjerë nuk u çuan as për ta duartrokitur. Përreth ndërtesës së Kongresit pati edhe protesta kundër Netanjahut, si nga izraelitë që kundërshtojnë luftën, ashtu edhe nga mbështetës të kauzës palestineze, të cilat ai tha se ishin të financuara nga Teherani.

“Jeni shndërruar zyrtarisht në idiotë të dobishëm të Iranit”.

Këtë të Enjte, kreu i qeverisë izraelite do të takohet edhe me presidentin Joe Biden dhe me kandidatin republikan Donald Trump.

Tv Klan