Gazetari i Klan News Besar Bajraktaraj ka siguruar foton e J. Zh., 35-vjeçari i cili mbante të mbyllura brenda shtëpisë 3 familjaret e tij.

Përveç se i kishte izoluar prej vitesh nënën, gruan dhe vajzën e mitur, ai i monitoronte me kamera të vendosura kudo nëpër shtëpi, madje edhe në tualet.

Ashtu siç u raportua më herët, i riu abuzonte prej kohësh me gruan e tij prej xhelozisë së tepërt. Kjo e fundit mësohet se ka tentuar vetëvrasjen disa herë dhe si gjurmë ka lënë letrat e lamtumirës, të cilat policia i ka gjetur në banesë. Në polici nuk ka pasur një denoncim nga gruaja dhe nëna e tij, por policia është mësuar me rastin pas informacioneve në rrugë operative dhe ka ndërhyrë.

Burime bëjnë me dije se ka dyshime që J. Zh., të ketë probleme të shëndetit mendor, por do të jetë ekspertiza që do të bëhet në vijim për të përcaktuar situatën e tij mendore. Bashkëshortja e tij nuk ka thënë asnjë fjalë para hetuesve. Ka qenë e ëma, H. Zh., e cila ka treguar se i mbante të kyçur dhe ushtronte dhunë mbi të tre. Bashkëshortja e J. Zh., për shkak të situatës nuk është në gjendje të mirë psikologjike./tvklan.al