Nikaragua i ka kërkuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të urdhërojë Berlinin të ndalojë eksportet e armëve ushtarake në Izrael dhe të anulojë vendimin e tij për të ndaluar financimin e agjencisë palestineze të OKB-së për refugjatët UNRWA, me argumentin se ekziston një rrezik serioz i gjenocidit në Gaza.

Ambasadori i Nikaraguas, Carlos Jose Arguello Gomez, para gjykatës u shpreh se Gjermania ka shkelur Konventën e Gjenocidit të vitit 1948 duke vazhduar furnizimin me armë Izraelit.

“Gjermania po dështon të respektojë detyrimin e saj për të parandaluar gjenocidin. Shkeljet e së drejtës ndërkombëtare humanitare nga Izraeli krijojnë detyrime për Berlinin ashtu siç bën për të gjitha shtetet e bashkësisë ndërkombëtare, detyrime për të cilat Gjermania është përgjegjëse dhe të cilat janë pretenduar në këtë procedurë. Në rastin konkret, Nikaragua po kërkon gjithashtu që gjykata të urdhërojë që Gjermania të ndërpresë mbështetjen për Izraelin në fushatën e tij të shkatërrimit të popullit palestinez dhe po vepron jo vetëm në emër të saj, por edhe në emër të popullit palestinez që po i nënshtrohet ofensivës izraelite.”

Gjermania, e cila ka hedhur poshtë akuzat e paraqitura nga Nikaragua, do të paraqesë anën e saj në gjykatë të martën. Nikaragua bazohet në një rast të mëparshëm të ngritur nga Afrika e Jugut që akuzon Izraelin për gjenocid në ofensivën e tij ushtarake në Gaza, akuza që Izraeli i ka mohuar vazhdimisht.

Ndërkaq grupi militant Hamas ka bërë të ditur se nuk është bërë përparim në një raund të ri të bisedimeve të armëpushimit në Gaza në Kajro, ku morën pjesë gjithashtu delegacione nga Izraeli, Katari dhe SHBA. Sipas zyrtarëve palestinezë ngërçi vazhdon për shkak të refuzimit të Izraelit për t’i dhënë fund luftës, për të tërhequr forcat e tij nga Gaza, për të lejuar të gjithë civilët të kthehen në shtëpitë e tyre.

Nën presionin global për të lehtësuar krizën humanitare të Gazës dhe për të hequr planet për të sulmuar Rafah, një qytet në kufirin jugor me Egjiptin, i mbushur me mbi një milion njerëz të zhvendosur, Izraeli tërhoqi më shumë ushtarë nga Gaza jugore. Me këtë tërheqje, banorët e Khan Younis në Rripin e Gazës u kthyen në qytetin e tyre.

Klan News