Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Kreu demokristian Nikollë Lesi ka mbyllur fushatën në qytetin e Pogradecit, duke sulmuar shkaktarët e politikës së konfliktit në këto 12 vite, Nano dhe Berishën. Lësi tha, se shqiptarët kanë në dorë një shans historik ditën e dielë, që të mos votojnë me sy mbyllur dhe të mos u japin vota me shumicë PS dhe PD, pasi do të mbetemi prapë peng i sherrit mes dy partive të mëdha.

Votuesit tha Lesi, i kanë provuar dy partitë e mëdha dhe janë lodhur nga varfëria e këtyre viteve, ndërkohë që një pjesë e politikës lundron në mes të parave, apo fluturon me helikopterë të tipi Alba Copter, për të kundruar malin e parave të paligjshme që kanë vënë në saj të pushtetit. PDK vazhdoi Lesi, ju bën thirrje votuesve të thjeshtë, që të mos gënjehen nga premtimet e Nanos e Berishës, por të zgjedhin njerëzit që mendojnë, se kanë jo vetëm dëshirën, por edhe mundësinë për t’iu ndryshuar gjendjen ekonomike.

Edhe reformatorët kanë mbyllur fushatën e tyre elektorale në Pallatin e Kongresit. Kryetari i PDR Genc Pollo ka thënë në fjalën e tij, se ata garojmë për t’i thënë një mjaft të vendosur të vjetrës, që pengon progresin.

Genc Pollo:- “Mënjanimi i politikës së vjetër është një sfidë e mundimshme, por e domosdoshme, është një përplasje e vështirë, por e pashmangshme dhe besoj fryma e të resë do të vërë vendin që i takon dhe se PD e re është në shërbimin e saj për të fituar dhe sot garojmë për të thënë një mjaft të vendosur ndaj oktapodëve të vegjël e të mëdhenj, që pengojnë progresin”.

Kryetari i PSD Skënder Gjinushi ka zhvilluar takimin përmbyllës të fushatës elektorale për zgjedhjet e 12 Tetorit, për rrethin e Tiranës në Paskuqan, ku ka shprehur edhe njëherë mbështetjen për kandidatin Gjin Prenga, si dhe për kandidatët për kryetar bashkie, komuna e këshilltarë socialdemokratë.

Edhe Partia Demokracia Sociale ka mbyllur fushatën e saj elektorale me një takim në kryeqytet. Në fjalën e tij, lideri i kësaj parti Paskal Milo tha, se ne nuk jemi një parti nën hijen dhe mbështetjen e PS dhe këtë më së miri e tregon salla e tejmbushur. Ne kemi kandidatët tanë dhe rezultat e 12 Tetorit do të na nxjerrin forcën e tretë politike.

Paskal Milo:- “Ne dëshmuam një vullnet të fuqishëm politik, një kurajë të madhe, civile dhe qytetare dhe një shpirt gare, të cilën na e patën zili dhe na i vlerësuan ata që na donin dhe mbi të gjitha shqiptarët e ndershëm anë e mbanë Shqipërisë”./tvklan.al