Nga përplasje akuzash publike, grupimet brenda Partisë Demokristiane kanë kaluar në aksione konkrete. Mbështetësit e Ndokës i janë drejtuar prokurorisë duke paditur zv/ministrin e jashtëm Gurakuqi për përdorim të paligjshëm të siglave të partisë. Një hap që do të pasojë një tjetër vendim atë të Këshillit Kombëtarë të PDK-së ditën e premte për largim nga postet të 2 zv/ministrave Gurakuqi e Bushati.

Nard Ndoka: “Kryesia e PDK-së ka marrë një vendim, e cila do t’i përcillet këshillit kombëtarë ditën e premte për të marrë vendimin përfundimtarë si masë gjykimit tim si kryetar partie nuk mund të përfaqësojnë PDK 2 zotëri në fjalë. Po ashtu është mjaftë e dënueshme dhe është shkelje edhe e rregullores së funksionimit të këshillit të ministrave, që dy zv/ministrat dalin dhe sulmojnë një anëtarë të kabinetit për reformat e qeverisë, duke i quajtur ato të dështuara”.

Kundërshtarët e Ndokës vazhdojnë të mbështesin linjën largimit të këtij të fundit nëpërmjet kongresit të jashtëzakonshëm parashikuar të mblidhet në 10 maj. Madje me një vendim të asaj pjese të anëtarëve të kryesisë që mbështesin këto qëndrime, kryetari Ndoka është pezulluar nga funksionet deri në mbajtjen e kongresit.

Anton Gurakuqi: “PDK nuk mund të përfaqësohet me njerëz si Nard Ndoka. Ne kemi ardhur po jo sot, kemi vite që kontribuojmë për të ndryshuar në këtë politikë pikërisht fenomenin Ndoka dhe klanin e tij që po e kthejnë këtë politikë jo si një politikë vlerash, po si një politikë përfitimesh personale”.

Përplasjet në PDK janë kthyer tashmë të zakonshme, duke krijuar të paktën 3 parti me emra të ndryshëm, por përfaqësues të njëjtit elektorat atij demokristian./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi