Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Gazetarja: Tragjedia e 9 Janarit, ku mbetën të vdekur të paktën 27 persona, ka përfunduar tashmë në dyert e Gjykatës së Faktit të Vlorës. Mjaft qytetarë nga Malësia e Madhe dhe Shkodra kanë ardhur këtu për të ndjekur se si drejtësia shqiptare do të gjykojë 13 persona të cilët janë akuzuar si autorë të kësaj ngjarje.

Prokurorët Petrit Çano dhe Skënder Dauti kanë ngritur për 13 të pandehurit akuzën, kalim i paligjshëm i kufirit me qëllime përfitimi dhe pasojë vdekjen. Në tragjedinë e 9 Janarit, një gomone e tejmbushur me klandestinë, mbeti në mes të detit pas një defekti në motor. Skafistë dhe persona të mbetur në det të hapur kërkuan nëpërmjet celularëve menjëherë ndihmën e autoriteteve për të shpëtuar nga vdekja, por gjatë orëve të natës përpjekjet për shpëtim nuk patën rezultat.

Gomonia u gjet 15 orë pas defektit nga një anije italiane e rojës bregdetare. Në tokë u kthyen 20 kufoma dhe 9 të mbijetuar. Në bankën e të akuzuarit janë vënë dy skafistët, Albert Alliu dhe Arden Rrokaj. Në pranga janë gjithsej dhe tre shtetas nga Shkodra Çlirim Sykja, Nasim Hyka dhe Zamir Podgorica, të cilët kanë organizuar lëvizjen e klandestinëve nga Shkodra drejt Vlorës.

Seanca ka filluar me nervozizëm për shkak të kërkesave dhe kontestimeve të shumta procedurale të avokatëve mbrojtës, të cilët kanë provokuar dhe reagimin e familjarëve. Sipas akuzës, organizatorët e rrjetit kanë bashkëpunuar dhe më parë për trafikun në det, ndërsa në tragjedinë e 9 Janarit kanë mashtruar viktimat duke u thënë se udhëtimi i tyre në det sigurohej nga mjete të Guardia di Finanzas.

Dëshmitari i parë për tragjedinë e 9 Janarit, ka qenë Luçe Hila, nëna e një 15-vjeçare, trupi i së cilës nuk është gjetur ende. Nëna e viktimës ka dëshmuar se një nga të pandehurit u ka marrë 1500 euro për person. Dëshmia e saj është ndërprerë disa herë nga ndërhyrjet e avokatëve mbrojtës dhe gjyqtari Artur Malaj nuk ka mundur të ushtrojë autoritetin e kryesuesit të seancës.

Gjatë procesit do dëgjohen mjaft dëshmitarë të mbijetuar të dëshmisë dhe familjarë të viktimave. Për akuzën e ngritur të pandehurit rrezikojnë nga 7-25 vjet heqje lirie./tvklan.al

Gazetare – Aranita Brahaj