Shpërndarja e certifikatave të pronësisë për ndërtimet informale ka nisur edhe në qytetin e Durrësit.

Agjencia e Legalizimeve ka pajisur me tapi 170 pronarët e parë. Kreu i legalizimeve, Shaban Memia, kujtoi edhe njëherë se reforma e ligjërimit të pasurisë së paluajtshme është pjesë e politikave të hartuara nga qeveria dhe për këtë po implementohet në të gjithë vendin.

Shaban Memia: “Nëpërmjet këtij procesi sot fillojmë ta kalojmë në treg me vlerën reale këtë kapital gjigant dhe ky kapital padyshim që do të sjellë gjenerim për ekonominë e familjeve, do sjellë gjenerim për ekonominë e qytetit.”

Memia tha gjithashtu se paketa e detyrimeve financiare është 30% më e ulet se çmimi i tregut dhe se në këtë proces është përfshirë edhe kompensimi i pronarëve me çmimin e tregut.

Shaban Memia: “Me këtë reformë së pari sjellim stabilitet të plotë në raportet e pronësisë dhe në të drejtën e pronësisë. Stabilizohen këto raporte sepse pjesë e procesit është kompensimi me çmimin e tregut të pronarëve të ligjshëm dhe në përmirësimet ligjore ne kemi sinkronizuar në mënyrë të njëkohshme, realizohen të gjitha procedurat e kompensimit dhe njëkohësisht komponenti i dytë është kalimi i pronësisë nëpër mes procedurave korrekte kushtetuese dhe ligjore.”

Në prefekturën e Durrësit janë deklaruar 37 mijë objekte informale, që zënë një sipërfaqe prej 3.8 milion metra katror, kundrejt një vlere prej 2 miliard dollarësh.

Për 70% të aplikimeve është bërë azhornimi, ndërkohë që të gatshme janë 22 mijë leje legalizimi./tvklan.al