Në përfundim të finales së Ligës së Kampioneve në stadiumin “Wembley” ndodhi një episod interesant mes yllit të Realit Jude Bellingham dhe trajnerit Jose Mourinho.

Pas ceremonisë, mesfushori anglez shkoi drejt tribunës ku ndodheshin e ëma, i ati dhe i vëllai dhe pasi i vendosi në qafë medaljen nënës së tij, vendosi t’i bënte asaj një tjetër dhuratë. Ai shkoi drejt portugezit Mourinho, i cili ishte në rolin e komentatorit të “Sky Sports” dhe i bëri atij një kërkesë shumë të veçantë.

Bellingham i tha Mourinho-s nëse ishte e mundur që të bënte një fotografi me mamanë e tij, e cila ka vite që e pëlqen. 61 vjeçari pranoi dhë në fund ishte ai që pati një kërkesë për yllin anglez: “Tani eja me mua te Fenerbahçe”, i tha ai.

Ky sezon ka qenë mjaft i mirë për Bellingham që përveç Champions-it, fitoi edhe La Liga-n me “Los Blancos”.

Në Europë ai shënoi 4 gola dhe dha 5 asiste në 11 takime, kurse në La Liga 19 rrjeta dhe 6 asiste. Ndërsa Jose Mourinho është në detajet e fundit të zyrtarizimit të kalimit të tij në stolin e Fenerbahçes.

Klan News