Lajme Arkiva 2003

Një tjetër skandal për industrinë shqiptare të naftës ka përfunduar kësaj radhe në gjykatë. Ka qenë Ministria e Energjetikës e cila ka bërë kallëzim penal ndaj drejtuesit të filialit të Albpetrol-it, Petrol impex duke e akuzuar se i kanë sjellë shtetit një dëm ekonomik prej 90.5 milion Lekësh.

Shoqëria Petrol Impex është një shoqëri aksionere me pronarë kryesor shtetin. Në dëm të shtetit drejtues dhe anëtarë të këshillit mbikqyrës të shoqërisë kanë shitur disa depozita të naftës si dhe pika tregtimi dikur pronë shtetërore.

Pas hetimeve nga organi i akuzës është konstatuar përgjegjësi dhe janë marrë në ndjekje penale. Ish drejtori i shoqërisë Vladimir Puka si dhe anëtarët e këshillit mbikëqyrës Viron Andrea, Vasillaq Lena dhe Pirro Liko.

Dosja hetimore është shqyrtuar nga prokuroria e rrethit të Tiranës dhe tashmë do të fillojë procesi gjyqësor ndaj katër drejtuesve të shoqërisë. Sipas njoftimit të prokurorisë, vepra penale e konsumuar është shpërdorim detyre në bashkëpunim dhe sanksionohet me gjobë deri në 7 vjet heqje lirie.

Tre muaj më parë sindikatat e naftës denoncuan disa tendera të realizuar nga Alb Petrol dhe nga drejtues të industrisë së naftës të cilat i shkaktonin dëm shteti dhe abuzonin në kurriz të industrisë së rëndë shtetërore./tvklan.al