Odise Roshi është një lojtar i lirë. Futbollisti shqiptar, ka njoftuar largimin nga Sakaryaspor.

Fieraku largohet nga skuadra turke, pjesë e së cilës ishte prej dy sezonesh.

“Dy vitet që kalova te Sakaryaspor janë plot me kujtime të bukura. Gjatë kësaj kohe pata rastin të takoj shumë njerëz, të cilët tashmë janë bërë miqtë e mi. Dua të falënderoj drejtorin e Sakaryaspor, shokët e mi të ekipit, stafin, punonjësit, përkthyesit dhe të gjithë ata që kanë qenë pjesë e ekipit.

Gjithashtu shpreh një falënderim të madh për të gjithë tifozët e skuadrës, të cilët na kanë mbështetur pa fund. Shumë dashuri dhe respekt.”, shkruan Roshi.

33-vjeçari ka dalë lojtar i lirë dhe është në kërkim të një skuadre të re, të cilën pritet ta zgjedhë së shpejti.

Roshi ka një karrierë të pasur si futbollist, pasi ka luajtur me shumë skuadra, duke filluar nga Apolonia dhe Flamurtari në Shqipëri, për të vazhduar me Koln dhe Frankfurt në Gjermani, Rijeka në Kroaci, Terek Grozny në Rusi, Diosgyor në Hungari dhe Boluspor e Sakaryaspor në Turqi. /tvklan.al