Varhelyi: Çdo bashkëpunim është i mirëpritur, vendet e tjera të bëhen pjesë

Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës edhe Bashkimi Europian mbështet pa kushte Ballkanin e Hapur. Konfirmimi erdhi nga Komisioneri i Zgjerimit Olivér Várhelyi gjatë ndërhyrjes online që bëri në takimit të radhës të mbajtur në Tiranë në kuadër të nismës Ballkani i Hapur dhe ku të pranishëm ishin Kryeministri Edi Rama, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

“Për të qenë i ndershëm, kam qenë gjithmonë i prirur shumë pozitivisht ndaj këtij propozimi. Mund të më përfshini si mbështetës të Ballkanit. Ne mendojmë që në bazë të rregullave e vlerave të BE, çdo bashkëpunim rajonal është i mirëpritur por dhe në të mirë të të dyja palëve, në të mirë të Ballkanit dhe Bashkimit Europian”.

Ndaj ai ftoi edhe tre vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor që t’i bashkohen nismës duke renditur edhe përfitimet prej saj.

“Më lini të përfitoj nga mundësia për t’i ftuar tri partnerët e tjerë që t’i kthehen këtij bashkëpunimi sepse është jo vetëm në të mirë të biznesit, është në të mirë të konsumatorëve, ofron shtim të punësimit, e po kështu mund të ndryshojë realitetet në terren. Nëse ka diçka që ju citoj, t’ju citoj juve zoti Rama, është se vetëm përmes bërjes konkrete të tregut të përbashkët rajonal, Ballkani mund të shtojë 1/3 e PBB-së ekzistuese”.

Komisioneri e vuri theksin te rëndësia që ka kjo nismë për të ecur përpara, në një kohë kur nismat e tjera, siç është ajo e integrimit ka mbetur në vend numëro për shkak të faktorëve të tretë.

Tv Klan

Zhvillohet këtë të martë dita e dytë e samitit të “Ballkanit të Hapur”. Kryeministri Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dhe Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç u mblodhën në Pallatin e Brigadave në Tiranë, bashkë me delegacionet e tyre. Në nisje të takimit të ditës së sotme, pati nga një fjalim nga të tre liderët të lejuar për transmetim në media. Ata vlerësuan iniciativën dhe thanë se është proces gjithëpërfshirës dhe do të sjellë të mira për qytetarët e vendeve pjesëmarrëse në të.

Kryeministri Edi Rama tha ndër të tjera se falë marrëveshjeve të nënshkruara mesazhi që përçohet është se viti 2022 do të jetë një epokë e re. Po ashtu ai theksoi se “Ballkani i Hapur” përgatit rajonin për integrimin europian dhe tregun e përbashkët në BE. Rama pati një ftesë për Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje Hercegovinën që të bëhen pjesë e nismës.

Presidenti Aleksandër Vuçiç pasi renditi të gjitha përfitimet që do të kenë qytetarët e bizneset e të treja vendeve nga marrëveshjet që do të nënshkruhen, tha se i kishte ardhur në majë të hundës që duhet t’u kërkonin falje për këtë iniciative vendeve të rajonit që nuk duan të bëhen pjesë e saj.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, tha se kjo ishte pjesëmarrja e tij e fundit në mënyrë të drejtpërdrejtë në një samit të “Open Balkan”. Megjithatë ai bëri thirrje që të ruhet dhe zhvillohet “Ballkani i Hapur”. Zaev shtoi se nisma është gjithëpërfshirëse. Po ashtu u sigurua që të tregojë se pasardhësi i tij, Dimitar Kovaçevski e mbështet këtë nismë.

Pjesë e takimit u fut online edhe Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi. Ai mbështet nismën ndërkohë që ftoi edhe 3 vendet e tjera të rajonit që t’i bashkohen asaj. Varhelyi shprehu keqardhjen e tij që nuk është mbajtur ende Konferenca e Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Megjithatë ai tha ka një angazhim të qartë nga ana e BE që kjo të ndodhë sa më parë.

5 marrëveshje të nënshkruara në samitin e Open Balkan

Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut nënshkruan këtë të martë 5 marrëveshje bashkëpunimi mes tyre, në kuadër të samitit Open Balkan.

Të gjitha marrëveshjet e nënshkruara:

1-Marrëveshje për qasjen e lirë në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor.

2-Marrëveshje për ndërlidhjen e skemave për identifikimin elektronik të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor.

3-Marrëveshje e bashkëpunimit në fushën e veterinarisë, ushqimit, sigurisë ushqimore dhe fushën fidosanitare në Ballkanin Perëndimor.

4-Marrëveshje dypalëshe mes Serbisë dhe Këshillit të Ministrave të Shqipërisë për njohjen e ndërsjellë të operatorëve të autorizuar ekonomikë për autorizimet e sigurisë dhe sigurimit.

5-Marrëveshje dypalëshe mes Maqedonisë së Veriut dhe Këshillit të Ministrave të Shqipërisë për njohjen e ndërsjellë të operatorëve të autorizuar ekonomikë për autorizimet e sigurisë dhe sigurimit.

“Ballkani i hapur”, Rama ftesë 3 vendeve që nuk i janë bashkuar: Tryeza është e hapur

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar gjatë takimit të “Open Balkan” që mbahet këtë të martë se tryeza e kësaj nisme është e hapur edhe për 3 vendet e tjera të rajonit që nuk i janë bashkuar ende, Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjes.

Gjatë fjalës  së tij, Rama tha se kush kërkon që Procesi i Berlinit apo tregut të përbashkët rajonal të ecë përpara duhet që t’i bashkohet kësaj iniciative. Po ashtu,Kryeministri tha se ka një lloj hezitimi në disa prej kancelarive për nismën, por ai theksoi se kanë mbështetjen e plotë të administratës amerikane dhe të disa prej anëtarëve të rëndësishëm të BE-së.

“Po jemi tërësisht të vetëdijshëm sa i takon një lloj hezitimi në disa prej kancelarive megjithatë duke pasur mbështetjen e plotë të administratës amerikane për Ballkanin e Hapur, duke pasur mbështetjen e plotë të disa anëtarëve të rëndësishëm të BE-së, konkretisht të Francës, Holandës dhe të tjerëve, duke pasur mbështetjen tuaj të plotë në Bruksel, ne e theksojmë se ju takon veprave për ta treguar se çfarë është kjo nismë integruese. Kjo tryezë është e hapur për të gjashtë pjesëtarët e komunitetit të Ballkanit Perëndimor dhe u takon 3 të tjerëve që të vijnë dhe të bëhen pjesë. Ne jemi këtu. Ne do të vazhdojmë të ecim përpara. Ne nuk do të rrimë në vend. Ne nuk do të fshihemi. Mbetja në vend duke folur për retorikën e Procesit të Berlinit për tregun e përbashkët rajonal duke qenë se Ballkani i Hapur është njësia e zbatimit të të dyjave. Ata që duan që Procesi i Berlinit të ecë përpara duhet të jenë pjesë e Ballkanit të Hapur. Ai që do vërtetë që tregu i përbashkët rajonal duhet të jetë pjesë e Ballkanit të Hapur”, tha Rama.

Marrëveshjet e “Open Balkan”, Rama: 2022-shi do të jetë një epokë e re

Gjatë fjalës së tij në samitin e “Open Balkan” në Tiranë, Kryeministri Edi Rama është shprehur se nisma është tërësisht përfshirëse dhe inkurajoi 3 vendet e tjera të rajonit që të bëhen pjesë e saj. Ai u shpreh se marrëveshjet që nënshkruhen ditën e sotme përfaqësojnë një gur kilometrik dhe se përcaktojnë vazhdimësinë e vendeve tona.

Çdo shembull i bashkëpunimit sipas Ramës është një hap përpara që e hap Ballkanin dhe e përgatit atë për integrimin dhe tregun e përbashkët në BE. Duke vepruar në këtë mënyrë, Kryeministri tha se flasim për gjëra konkrete dhe ndërmarrim hapa përpara për të liberalizuar tregjet tona të punës.

“Dua të theksoj se çfarë është në sytë e mi pjesa më e rëndësishme e kësaj nisme. “Ballkani i Hapur” shërben për të injektuar dinamizëm në bashkëpunim rajonal, qoftë mes neve apo të gjashtëve në kuadër të tregut të përbashkët, CEFTA-s  dhe komunitetit të transportit. Kemi punuar në mënyrë dinamike me këshillin rajonal, CEFTA-n, me komunitetin e transportin dhe një sërë institucionesh financiare ndërkombëtare si Banka Botërore për të modernizuar pikat e kalimit kufitar me synim për t’i kthyer në pika kalimi të vetme dhe në pika të vetme ndalese.  Ky bashkëpunim është dypalësh ose trepalësh dhe synimi mbetet i njëjtë, zbatimi i shpejtë i katër lirive të tregut të vetëm dhe përgatitjen e vendeve tona që të bashkohet me kalimin e kohës me tregun e përbashkët të BE. Dua ta përmbyll këtë hyrje të shkurtër duke thënë se sot nënshkrimi i marrëveshjeve të përgatitura me mjaft zell dhe gatishmëri nga ekipet tona shërbejnë për të përçuar një mesazh të qartë tek njerëzit, sidomos tek prodhuesit, tek fermerët, eksportuesit dhe importuesit të cilët janë tashmë duke punuar në këtë hapësirë të përbashkët. Mesazhi është që me këto marrëveshje, 2022 do të jetë një epokë e re, fillesa e një diçkaje krejt ndryshe për ta kur vjen fjala nga shkuarja tek pika A tek pika B dhe për të kaluar nëpër kufij të ndryshëm. Bazuar në marrëveshje dhe atë që do të bëjmë shumë shpejt në fillim të vitit të ri për të plotësuar kuadrin e operacionit të veprimtarive të tyre, ata nuk do të përjetojnë më atë dhimbje koke të stresit të pritjes në kufi”, tha Rama.

Vuçiç: Më ka ardhur pak në majë të hundës që duhet të kërkojmë ndjesë për Open Balkan

Në takimin që po mbahet për samitin e Open Balkan në Tiranë, Aleksandër Vuçiç, teksa renditi të gjitha përfitimet që do të kenë qytetarët e bizneset e të treja vendeve nga marrëveshjet që do të nënshkruhen, tha se i kishte ardhur në majë të hundës që duhet t’u kërkonin falje për këtë iniciativë vendeve të rajonit që nuk duan të bëhen pjesë e saj.

“Ky është një proces gjithëpërfshirës, për të gjithë ata që duan të bëhen pjesë e kësaj iniciative dhe ne e kemi bërë këtë të qartë me mijëra herë. Dhe t’ju them të drejtën më ka ardhur pak në majë të hundës që na duhet që të japim justifikime, për hiçgjë. Pse duhet ta bëjmë këtë gjë? A thua se ne kemi bërë ndonjë gjë të gabuar dhe duhet t’u kërkojmë ndjesë atyre që nuk janë pjesë e kësaj iniciative. Por në fund të fundit, e kanë në dorë ata nëse duhen të bëhen pjesë e iniciativës. Në rast se po janë mëse të mirëpritur. Por ne nuk kemi më arsye përse të kërkojmë ndjesë. T’u kërkojmë ndjesë atyre që nuk duhen të bëhen pjesë të paktën deri më sot”.

Vuçiç tha se për këto vende që nuk janë pjesë e shihte të vështirë sesi mund t’u shpjegojnë qytetarëve të tyre përse nuk i bashkohen Ballkanit të Hapur. Sipas Vuçiç, këto vende do t’i bashkohen kësaj nisme kur të shohin avantazhet e saj.

“Por duhet të jetë shumë e vështirë ama, për shumë qeveri në rajon që të arrijnë t’u shpjegojnë qytetarëve të tyre se përse nuk janë pjesë e këtyre iniciativave dhe ky është edhe avantazhi që unë shoh, shumë i qartë i kësaj iniciative. Besoj atëherë kur kjo gjë të jetë mëse e qartë, atëherë ata do të bëhen pjesë dhe do të krijojë avantazhe të vërteta, shanse të vërteta, mundësi të vërteta”.

Samiti i “Open Balkan”, Zaev: Pjesëmarrja ime e fundit në mënyrë të drejtpërdrejtë. Ruani dhe zhvilloni nismën

Samiti i “Open Balkan” në Tiranë është i fundit për Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

“Është nder dhe kënaqësi që jemi bashkë sot. Në çdo takim që kemi na bie që të flasim për gjëra të reja dhe të diskutojmë për gjëra të reja. Nuk është e lehtë në BE por nuk është e lehtë as në Ballkan, megjithatë kemi hapa të dukshëm për të treguar. Kjo do të jetë edhe pjesëmarrja ime e fundit e drejtpërdrejtë në këtë mision të rëndësishëm që ne kemi filluar dhe po e vëmë në zbatim me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe Kryeministrin Edi Rama”, tha Zaev.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut tha se “Open Balkan” është proces autentik i përbashkët mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Megjithatë ai u shpreh se mbetet i hapur për të gjitha vendet e tjera të rajonit. Zaev bëri thirrje që të zhvillohet kjo nismë pasi është instrumenti si mund të lëmë pas të shkuarën.

“Ballkani jo vetëm që na ka sjellë së bashku si tre udhëheqës së vendeve tona, por personalisht për mua ka patur një vlerë të shtuar, kjo është një miqësi e madhe që kemi mundur që të krijojmë të tre bashkë miqtë e mi dhe dua t’u përçoj një mesazh të gjithë atyre që janë këtu sot. Ruani dhe zhvilloni këtë iniciativë, “Ballkanin e Hapur” sepse është në të mirën e qytetarëve tanë. Kemi patur përçarje, zënka dhe mosbesim në të shkuarën, por Ballkani i hapur është mënyra për të ecur përpara. Është rruga e duhur në integrimin europian. Është instrumenti se si mund ta lemë të shkuarën tonë të trazuar në të shkuarën dhe do të na çojë drejt një të ardhme të përbashkët dhe të bashkuar në BE. Me këto marrëveshje që ne do të nënshkruajmë sot, ne do të kemi suksese të mëtejshme.

Më lejoni të përmend që me mua kemi Kryeministrin e ardhshëm Kovaçeskin dhe zv/kryeministrat që janë tërësisht mbështetës të kësaj iniciative. E përmendëm që do të sjellë vetëm të mira për qytetarët tanë dhe të njëjtën gjë mendon edhe kryeministri i ardhshëm Kovaçevski. Unë besoj fort që kjo iniciativë do të vijojë me suksese të mëtejshme”, tha Zaev.

Varhelyi mbështet Open Balkan: Ftoj 3 partnerët e tjerë t’i bashkohen

Komisioneri për Zgjerimin në BE, Oliver Varhelyi, duke theksuar se Open Balkan, është një nismë në të mirë të Ballkanit dhe BE, u bëri thirrje tre vendeve të tjera, Kosovës, Bosnje Hercegovinës dhe Malit të Zi, që të bëhen pjesë e saj.

“Është në të mirë të Ballkanit, por edhe në të mirë të Bashkimit Europian. Do të ishte ideale që të gjendej një mënyrë për t’u kthyer në tregun e përbashkët rajonal, megjithatë e kuptoj që ju doni të ecni derisa kjo të ndodhë. Ju duhet ta mbani bashkëpunimin të hapur, diçka që e kam dëgjuar nga të tre ju. Më lini që të përfitoj nga mundësia për t’i ftuar 3 partnerët e tjerë, t’i kthehen këtij bashkëpunimi rajonal. Sepse jo vetëm shton mundësitë për bizneset, është në të mirë të konsumatorëve, ofron shtim të punësimit, por po kështu mund të ndryshojë realitetet në terren.

Duke cituar kryeministrin Edi Rama,Varhelyi shtoi se “Vetëm përmes bërjes konkrete të tregut të përbashkët rajonal, Ballkani mund të shtojë një të tretën e PBB-së ekzistuese. Pra një e treta rritje është shumë afër vetëm duke zbatuar tregun e përbashkët rajonal. 2/3 e mbetura të rritjes, apo pjesa tjetër e rritjes e PBB-së, apo edhe më shumë, mund të arrihet përmes një përplotësuesi thelbësor që është plani ekonomik dhe i investimeve, që është diçka me të cilën BE ka dalë dhe e ka ofruar. Por ky plan mbështetet në ekzistencën e tregut të përbashkët rajonal, apo të një integrimi rajonal”.

Varhelyi: Angazhim i qartë nga BE për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe RMV

Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi, i cili iu bashkua samitit Open Balkan me anë të një videokonference, shprehu keqardhjen e tij që nuk është mbajtur ende Konferenca e Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Megjithatë ai tha ka një angazhim të qartë nga ana e BE që kjo të ndodhë sa më parë.

“Mos harroni që ne kemi bërë progres në procesin e zgjerimit, kemi hapur grupe kapitujsh me Serbinë, kemi parë gjithashtu pjesë të metodologjisë me Malin e Zi. Megjithatë, nuk e fsheh keqardhjen time që ende nuk e kemi mbajtur konferencën e parë ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Duhet t’i mbajmë shumë shpejt. Shenja e parë që duhet të shohim është që kemi një angazhim të qartë nga ana e BE që kjo të ndodhë. Gjithashtu, kjo ishte e dukshme edhe në konkluzionet e miraturara nga Këshilli në mënyrë të njëzëshme. Duhet marrë shumë seriozisht kësisoj dhe ka ardhur koha që kjo të ndodhë e që t’i sjellim në tryezë të gjitha marrëveshjet./tvklan.al