Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi bëri thirrje BE të mos zvarrisë më hapjen e kapitujve të parë të negociatave me Shqipërinë. Gjatë fjalës së tij në forumin “Near Days 2024”, një nismë e zyrës për politikat e fqinjësisë dhe negociatat e zgjerimit, Varhelyi kritikoi qasjen e Këshillit Europian, të cilit i bëri thirrje të mbajë fjalën, pasi është në lojë besueshmëria e unionit.

“Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet për hapjen e kapitujve të parë, por sërish në anën tjetër të kësaj rruge duhet të merren vendime. Kushtet janë përmbushur, ne i kemi bërë propozimet me kohë, ndaj dhe tani është momenti që Këshilli t’i qëndrojë fjalës së dhënë dhe të ruajë besueshmërinë e procesit të zgjerimit. Duam që kapitujt të hapen tani!”.

Varhelyi tha se të gjitha vendet e rajonit kanë bërë përparime në procesin e përafrimit me Bashkimin Europian, në varësi të fazave të ndryshme ku ndodhen. Komisioneri i Zgjerimit u ndal edhe tek Kosova, që sipas tij nuk është as vend kandidat, as negociues, kjo për faktin se është në një pozitë të vështirë prej tensioneve që shpërthejnë vazhdimisht dhe sidomos prej atyre të fundit në veri. Varhelyi tha megjithatë se gjëja më e rëndësishme e momentit është çtensionimi.

Tv Klan