Komisioneri i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi e sheh të mundshëm anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në një afat prej 5 vitesh.

I pyetur në krah të presidentit serb Aleksandër Vuçiç gjatë një vizite që bëri të hënën në Beograd, Varhelyi thotë se shpreson që Serbia dhe vendet tjera në rajon, të jenë pjesë e BE-së deri në fund të mandatit të legjislaturës së re të Komisionit Evropian, nëse i zbatojnë të gjitha reformat e domosdoshme.

“Është e qartë që dera është e hapur. BE-ja është gati për të pranuar anëtarë të rinj. Brenda 5 vjetëve, po. Është krejtësisht e mundshme”, tha Oliver Varhelyi, Komisioner i BE për Zgjerimin.

Megjithatë Varhelyi pati një kërkesë specifike për Serbinë të cilës i kërkoi të harmonizojë politikën e saj të jashtme me atë të Bashkimit Evropian, si dhe të përmirësojë demokracinë si dhe sundimin e ligjit.

Komisioneri europian i dha përgjigje edhe shqetësimit të Vuçiç për rezolutën që pritet të diskutohet në Kombet e Bashkuara për gjenocidin në Serbrenisë.

“Faji kolektiv dhe ndëshkimi kolektiv nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e vlerave tona, por fajtorët duhet të mbajnë përgjegjësi për atë që kanë bërë”, tha Oliver Varhelyi, Komisioner i BE për Zgjerimin.

Vizita e Varhelyi në Beograd ishte për të diskutuar planin e BE-së për Rritje Ekonomike në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Tv Klan