Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Policitë e rretheve të përfshira në operacionin “Rrjeta e hekurt”, kanë bërë deri tani bilancet e tyre për objektet dhe mjetet e sekuestruara. Kështu numrin më të madh të objekteve të bllokuara nga policia gjyqësore e ka Vlora, ku deri tani janë bllokuar 13 objekte, si banesa dhe vila. Ndërsa pritet që brenda afatit 48 orë nga sekuestrimet, prokuroria të shprehet nëse ato janë të ligjshme.

Policia e këtij rrethi, kanë njoftuar se bllokime do te ketë edhe në ditët që vijojnë. Këto prona dyshohet se janë vënë me para të para të siguruara nga trafiqet klandestine në det, si dhe nga trafiku i drogës.

Zyra rajonale e luftës kundër trafiqeve në Fier dhe Lushnje, kanë vënë në pranga katër trafikant femrash. Ata janë Martin Zhuka 19 vjeç, Bardhi Spahiu, Bledar Spahiu dhe Ermal Koronaci 19 vjeç. Këta persona janë arrestuar pasi akuzohen, se kanë trafikuar vajza shqiptare jashtë kufijve.

Në qytetin e Fierit ka nisur një aksion në kuadrin e operacionit të koduar “Jeta e hekurt”. Nga një denoncim i bërë në prokurorinë e këtij qyteti, rezulton se qarkullojnë rreth 100 automjete të tipeve të ndryshme, me zhdoganim fals. Vetëm sot, postblloqe të policisë rrugore dhe ato të rendit, kanë bllokuar brenda disa orësh 8 automjete të tilla.

Në qytetin e Elbasanit nga kontrollet dhe verifikimet e policisë në kuadër të operacionit “Rrjeta e hekurt”, janë bllokuar vetëm sot 8 automjete, ndërsa po verifikohen 13 makina të tjera. Kontrollet kanë përfshirë edhe lokalet dhe investimet e tjera në qytet, të cilat besohet se janë ngritur me anë të financimeve të paligjshme./tvklan.al

Gazetare – Danjela Kostandini