Opozita nuk do të hyjë në zgjedhje me kryeministër Fatos Nanon. Krerët e disa partive opozitare kanë propozuar Partisë Demokratike dhe kryetarit të saj Sali Berisha bojkot të zgjedhjeve parlamentare të 2005 për të shmangur manipulimin e tyre nga kryeministri Nano.

Sipas kryetarit demokristian Nikollë Lesi, kjo është e vetmja rrugë për të siguruar një proces të lirë dhe të ndershëm.

Nikollë Lesi:  Me Fatos Nanon në mënyrë kategorike nuk futemi  në zgjedhje. Është një njeri që po përdor të gjithë elementët e krimit  të organizuar dhe tani po përgatitet që të fusë në zgjedhje miliona e  miliona dollarë që të marrë zgjedhjet, duke blerë, duke dhunuar. Gjë që do të thotë që nëse ne e lejojmë, do  të thotë  që kemi pranuar dështimin tonë, kemi pranuar destabilitetin në vend. Prandaj më mirë bëjmë presion komunitetit ndërkombëtar, politikave shqiptare që me Nanon nuk pranojmë të futemi në zgjedhje, sepse pastaj kostoja e destabilitetit do jetë shumë herë më e egër se sa kjo që mund të ndodhë përpara.

Edhe sipas kreut republikan Fatmir Mediu është e qartë tendenca e qeverisë për të manipuluar votat edhe në zgjedhjet e 2005. Ai është i mendimit se opozita dihet të fillojë menjëherë punë për zgjedhjet e në rast se do të hasë pengesa të vendosë edhe bojkotin.

Fatmir Mediu: Mendoj se  duhet të ketë një qëndrim të përbashkët të opozitës në radhë të parë, të studiuar mirë dhe më tepër një bashkërendim me faktorin ndërkombëtar për t‘i imponuar maksimalisht detyrimet karshi qeverisë shqiptare për të bërë ato ndryshime që janë të nevojshme. Prezenca  dhe forca e krimit të organizuar dhe influenca me qeverinë shqiptare. Pikërisht këto lidhje do të tentojnë në mënyrë të vazhdueshme që të manipulojnë zgjedhjet dhe ky është një nga ato momentet që duhen parë me vëmendje të madhe.

Për deputetin opozitar Preç Zogaj është e trishtueshme të flasësh për bojkot të zgjedhjeve të cilat duhet të jenë baza e demokracisë, por në kushtet e krijuara ai mendon se partitë opozitare duhet të dalin në një qëndrim unik, për të mos marrë  pjesë në zgjedhje me  Fatos Nanon.

Preç  Zogaj: Në qoftë se Nano do mbetet  kryeministër, unë kam përshtypjen se vërtet opozita, mbarë opozita nuk do t shkojë në zgjedhje. Kjo duket qartë që tani. Mund të themi se i kemi dalë përpara këtij zhvillimi disa muaj përpara. Prandaj është lëvizja “Nano ik”. Të gjitha partitë opozitarë të përfshira në lëvizjen “Nano ik” por edhe një parti që nuk është përfshirë në lëvizjen “Nano ik”, kanë të njëjtën pikëpamje për  sa i përket kushtit të largimit të Nanos për zgjedhje të lira   e të ndershme.

Tryeza e partive të opozitës do  të shqyrtojë propozimin për bojkot të zgjedhjeve nëse nuk largohet kryeministri Nano. Madje pritet edhe nënshkrimi i një rezolute që do të institucionalizoj këtë qëndrim të opozitës shqiptare./tvklan.al