Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka zgjeruar aksionin e ndërprerjeve të lidhjeve të paligjshme dhe të debitorëve nga familjarët e bizneset.

Rreth 150 grupe pune janë shpërndarë në të gjithë vendin për të kontrolluar korrektësinë e abonentëve në pagesat e energjisë së konsumuar.

Megjithëse vërehet një përmirësim i arkëtimeve debitorët ende rezultojnë në një numër shqetësues përfshirë dhe bizneset.

Për këtë arsye drejtuesit e lartë të OSSH-së kanë qenë vetë prezent në kontrollet e ushtruar kryesisht në bizneset e vendosura në autostradën Tiranë-Durrës dhe janë kryer rreth 760 kontrolle dhe u është ndërprerë energjia e debitorëve.

Ky aksion ndërmerret vetëm një ditë pas ndërprerjes së energjisë për disa ujësjellësa, borxhi i të cilave ndaj OSSH-së llogaritet në rreth 12 milion dollarë.

Ilirjan Shkëmbi: “Pavarësisht rezultateve të mira të arritura në këto 2-3 muajt e fundit po vazhdohet dhe po punohet intensivisht në drejtim të vjeljes së debive për këta abonentë, familjarë dhe privatë, pa lënë pas dore dhe abonentët e tjerë, në këtë rast abonentët buxhetorë dhe abonentët jo buxhetorë, me të cilt vijon dhe për ta ndërprerjen e energjisë elektrike”.

Aksioni i zgjeruar i së shtunës ka përfshirë dhe konsumatorët familjarë, ku janë bërë kontrolle në mbi 3 mijë abonentë dhe është ndërprerë energjia atje ku janë gjetur lidhje të paligjshme apo fatura të papaguara të energjisë.

Megjithëse aksione të tilla duken si masa drastike të OSSH-së ndaj abonentëve, drejtuesit e kompanisë thonë se kjo është një mënyrë efikase për të rritur arkëtimet që vetëm të shtunën llogariten rreth 800 mijë dollarë./tvklan.al