Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, Akademiku Rexhep Qosja të shoqëruar nga Kryeministri Majko kanë shkuar sot në kampingun e Mulletit ku strehohen të ardhurit nga Kosova të cilët kanë dalë për të pritur udhëheqësit e tyre me kengë e duartrokitje. Lot dhe emocione në këtë takim të parë të liderve të Kosovës me njerëzit që i shpëtuan tmerreve të luftës. Thaçi përveçse ka siguruar të ardhurit për rikthimin e tyre në një Kosovë të lirë, u ka transmetuar nënave kosovare mesazhin e djemve luftëtarë dhe janë interesuar për kushtet ku jetojnë të ardhurit.

Hashim Thaci: Më vjen mirë që refugjatët që kanë ardhur në Shqipëri janë stabilizuar. Qeveria Shqiptare ka kryer obligimet e veta dhe besoj se së shpejti do të krijohen kushtet për kthimin e tyre në Kosovë.

Pandeli Majko: Nuk ka nevojë shumë për deklarata. Kjo do të thotë që shqiptarët kudo që janë po ndajnë të njëjtin fat. Në këto momente jemi duke i treguar jo vetëm shqiptarëve, por të gjithë faktorëve, ata që na duan dhe nuk na duan të mirën që ne jemi një faktor i pandarë të cilët fatin e tyre do ta vendosin vetë në radhë të parë. Ata kanë parë spitalin fushor dhe kanë diskutuar me drejtuesit e kampit për përmirësimin e kushteve. Më pas ata kanë folur shkurt për gazetarët.

Gazetarja: Mendon që do të ketë një bashkim të faktorit shqiptar në këto momente?

Rexhep Qosja: Duhet të ketë. Kjo është interesi i popullit shqiptar, interesi i Kosovës, interesi i gjithë shqiptarëve që faktorët politikë të merren vesh mes vedit. Merren vesh vendet e NATO-s vendet që mund të jenë me qëndrime politike aq larg si Greqia dhe Turqia. Por mos merren vesh shqiptarët kjo s’ka kuptim. Kemi formulën e Rambujesë, marrëveshje të nënshkruar prej tre subjekteve politike ushtarake. Do respektohet ajo formulë. Dërgimi i çdo formule tjetër na çon më larg./tvklan.al

Gazetare: Ornela Bego