Kuvendi shtyu sërish mandatin e komisionit për reformën zgjedhore.

Pikërisht ditën kur skadon dhe afati për përfundimin e ndryshimeve në kod, për të cilat palët shprehen vullnetin se do t’i kishin gati brenda 31 Tetorit, parlamenti me shumicë votash miratoi shtyrjen e punës së këtij komisioni edhe 15 ditë të tjera.

Jozefina Topalli: “Afati i veprimtarisë së komisionit të posaçëm parlamentar për kodin zgjedhor ngritur me vendimin nr.192, datë 30/06/2008 të ndryshuar shtyhet deri më datën 14 Nëntor 2008. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”.

Edhe pse partitë e vogla i kanë konsideruar të qëllimta vonesat në reformën elektorale për socialistët kodi zgjedhor mund të quhet i përfunduar në pjesën dërrmuese të tij, pas propozimeve të bëra nga ekspertët juridik të selisë rozë.

Fatmir Xhafa: “Kodi zgjedhor nga pikëpamja e punës së ekspertëve pothuajse ka përfunduar. Është, ka mbetur pjesa për qeverisjen vendore që janë axhustimet e fundit, rregullimet e fundit dhe disa gjëra që lidhen me një aneks që duhet t’i bashkëngjitet kodit për, lidhur me përcaktimin e zonave të administrimit zgjedhor në qarqe.”

Deri më tani komisioni për reformën elektorale ka rënë dakord për shumë kapituj të kodit zgjedhor duke i dhënë zgjidhje konsensuale çështjes së koalicioneve të përbëra që dikton dy formula llogaritjesh, ajo mes listave të koalicioneve dhe ajo mes partive në koalicion.

Financimi i partive si dhe përqindja e grave në lista janë të tjera çështje që kanë gjetur konsensusin mes palëve në komisionin e reformës zgjedhore.

Koka: Prifti: Kushti i PS-së, LSI jashtë KQZ-së

Dritan Prifti: “Ne kemi marrë së fundmi një informacion që Partia Socialiste e ka vënë si kusht kryesor për të bashkëpunuar për reformën zgjedhore heqjen nga komisionet qendrore të zgjedhjeve dhe nga komisionet e tjera të Lëvizjes Socialiste për Integrim, pra ata nuk japin konsensus për reformën nëse LSI-ja do të ketë anëtarë nëpër komisionet zgjedhore”./tvklan.al