Deklaratat e dy partive të mëdha për të kaluar në parlament brenda këtij sesioni kodin e ri zgjedhor, ndërkohë që nuk ka patur asnjë konsultim me aleatët e vegjël alarmon këta të fundit.

Tritan Shehu: “Është e domosdoshme që koalicioni jonë të mblidhet përpara, të diskutojë mendimet që mund të jenë brenda koalicionit në mënyre që ne të dalim me një emërues të përbashkët me komisionin e reformës zgjedhore ku do diskutohen ndryshimet për kodin zgjedhor.”

Nard Ndoka: “Tendenca për përjashtimin e partive politike për ngushtimin e hapësirave publike të përfaqësimit, për devijimin e votës. Kjo është e rrezikshme.”

Ndërkohë Ndoka kërkon nga Berisha të respektojë marrëveshjen që bënë pasditen e 21 prillit , pak orë përpara se të miratoheshin ndryshimet kushtetuese.

Nard Ndoka: “Nëse PD është e penduar për marrëveshjen është problem i saj, por ajo që ne kërkojmë dhe pa diskutim edhe do ta kërkojmë me të gjitha format e mundshme demokratike që reforma zgjedhore mos të kalojë në mënyrë klandestine.”

Partitë e vogla të djathta duken të hapura për të shkuar në zgjedhje në koalicion me demokratët. Por megjithatë sipas tyre duket një korrigjim kombëtar i sistemit proporcional-rajonal. Nëse vendi shkon në zgjedhje i ndarë në 12 rajone, siç parashikon ndarja aktuale administrative, shumë parti të vogla pas zgjedhjeve të 2009 do të gjendeshin jashtë parlamentit./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka