Qyteti i Gjirokastrës është gdhirë sot i mbushur nga parulla në nderim të figurës së ish-diktatorit komunist, Enver Hoxha.

Mbishkrime të tilla si “Lavdi veprës dhe figurës së Enver Hoxhës”, “Mirëserdhe Enver djali”, “Rroftë partia komuniste”, janë shkruar me bojë të kuqe në muret e zonës muzeale të qytetit.

Këto mbishkrime duket se kanë provokuar zemërimin e kundërshtarëve të regjimit, të cilët në shenjë proteste janë përgjigjur në mënyrën e tyre.

Lidhur me ngjarjen policia nuk ka lëshuar asnjë komunikatë zyrtare, ndërkohë që prefektura ka kërkuar distancim nga këto parulla.

Evanthi Duraj: “Duke marrë në konsideratë ankimet e shumë qytetarëve që shprehin indinjata për këtë dhunë psikologjike dhe duke dashur të mbrojmë nxënësit dhe të gjithë rininë nga kjo dhunë u bëjmë thirrje autoriteteve lokale për të përdorur të gjitha mundësitë ligjore për largimin e parullave. I bëjmë thirrje drejtorisë së policisë së shtetit të bashkëpunojë me policinë bashkiake dhe bashkinë Gjirokastër për evitimin e këtij fenomeni.”

Kjo ngjarje ndodh vetëm pak ditë përpara përkujtimit të 100-vjetorit të ditëlindjes së ish-diktatorit komunist, ditë në të cilën janë parashikuar disa aktivitete nga mbështetës dhe familjarë të tij./tvklan.al