Lajme Arkiva 2003

Është hapur dje për të gjitha automjetet pas një viti e gjysmë punimesh mbikalimi te ura e Dajlanit. Përfundimi  i ndërtimit të kësaj ure e njohur si një nga veprat më të mëdha në fushën inxhinierike në Ballkan ishte e planifikuar të përfundonte në dhjetor të vitit 2002, por firma italiane e cila ka kryer punimet ka hasur në vështirësi teknike dhe ka shtyrë afatin e dorëzimit të kësaj vepre.

Mbikalimi në hyrje të Durrësit është pjesë e korridorit të 8 dhe lidh të gjitha rrugët automobilistike që lidhin veriun, jugun dhe qendrën e Shqipërisë me Durrësin e portin e tij. Financimi i kësaj ure e cila është njëherësh edhe vepra më e madhe e artit e ndërtuar në Shqipëri është bërë  nga Banka Botërore dhe ka kapur vlerën e 4.5 milionë dollarëve.

Ura përbëhet nga 8 kollona mbajtëse me gjatësi 360 metra. Kjo pjesë e mbikalimit ka 4 korsi dhe është e gjerë 18 metra. Me hapjen e këtij mbikalimi dhe të mbikalimit tjetër që të çon në Rrogozhinë lëvizja e qytetarëve drejt bregdetit të Durrësit, sidomos tani me fillimin e sezonit të pushimeve do të jetë më e lehtë. Trafiku nuk do të jetë më problem për të gjitha automjetet që udhëtojnë drejt detit./tvklan.al