Partia Demokratike në ndryshim nga socialistët nuk i kanë nisur ende takimet me aleatët për të diskutuar mbi kodin e ri zgjedhor. Kryetari i grupit parlamentar demokrat Astrit Patozi, pohon këtë fakt për Televizionin Klan.

Astrit Patozi: “Ne kemi një komunikim të vazhdueshëm me aleatët edhe ka pasur, edhe do të ketë edhe takime informale por edhe takime zyrtare me aleatët, po ne sigurisht po presim shtatorin në mënyrë që të kristalizojmë mënyrën, se si do të shkojmë në zgjedhje, cila do të jetë formula e koalicionit të mazhorancës për të shkuar në zgjedhje. Unë besoj se ne jemi ende në kohë, nuk kemi emergjencë për ta bërë këtë ndryshe nga kampi tjetër, i cili ka pasur një krizë çdo marrëveshje ka nevojë për dy palë dhe unë nuk mund të di se cilat janë dëshirat dhe objektivat e aleatëve tanë. Por ne jemi të hapur për të gjitha format e bashkëpunimit”.

Patozi thotë se pushimet verore nuk i kanë penguar ekspertët e të dyja forcave, të vazhdojnë punën për hartimin e ligjit elektoral.

Astrit Patozi: “Ne duhet të presim ditët e para të shtatorit për të parë rezultate konkrete në këtë proces, ndërkohë që mund të konfirmoj se ekspertët e të dyja palëve gjatë muajit gusht e kanë shfrytëzuar kohën në mënyrë që në tavolinën  e deputetëve të komisionit të posaçëm të jenë kapituj të gatshëm të kodit të ri elektoral”.

Akuzat e vazhdueshme të ditëve të fusnit të opozitës për punën e qeverisë, sipas Patozit nuk mund të ndikojnë në vijueshmërinë e bashkëpunimit me socialistët për reformat e mëdha./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka

Montazh: Matilda Dusha