Derbi i Madoninës do të jetë vendimtar për stolin e Milanit. Tekniku, Paulo Fonseca rrezikon të shkarkohet në rast dështimi edhe ndaj Interit, çka do e bëntë të dytin që shkarkohet brenda pak javësh në kampionatin italian. Humbja përballë Liverpool në Kupat e Europës ka tronditur jo pak pozitat e portugezit, i cili tashmë gjendet me valixhe në duar. Një tjetër rezultat negativ kundër zikaltërve do të përkthehej në të larguar nga Milano.

Ka disa faktorë që mund të detyrojnë drejtuesit kuqezi për të pasur ndryshime në stol, ku përveç rezultateve zhgënjyese ka një marrëdhënie jo stabël me lojtarët. Në rast të shkarkimit të Fonseca-s, mediat italiane kanë nisur të aludojnë edhe emrat e pasuesit.

Massimiliano Allegri dhe Mauricio Sarri gjenden në krye të listës së dëshirave, por për momentin mbeten objektiva të paarritshëm. Një kandidat potencial është ish-trajneri i Borussia Dortmund, Terzic. Përmes, kontakteve indirekte, klubi italian ka marrë informacione dhe po vlerëson një zgjedhje që do të siguronte vazhdimësi nga pikëpamja taktike.

Klan News