Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Kryetari i PD Sali Berisha ka hapur fushatën elektorale në qytetin e Peshkopisë, Berisha i ka bërë thirrje dibranëve, të votojnë kandidatin e PD Ilir Krosi.

“Eja me ne”, që me votën tuaj të shporrni nga shtëpitë tuaja zyrtare skandalet, korrupsionin, vjedhjet e përfaqësuesve të padrinos, kreut të mafies qeveritare në Shqipëri Fatos Nano është shprehur kryedemokrati. Berisha u ka përmendur banorëve të Peshkopisë, varfërinë dhe skamjen, si pasojë e taksave që ka vendosur qeveria.

Sali Berisha:- “Shoku Fatos, para një muaji shpalle si slogan të fushatës tënde, “Votoni për punën tonë”, pse e tërhoqe, pse e censurove sloganin? Jo një, por dhe njëqind qeleshe të bardha po vendose në kokë, dibranët dhe shqiptarët e dinë, sloganin e tërhoqe, sepse socialistë dhe demokratë, qytetarët e Dibrës dhe të mbarë Shqipërisë e dinë se punët tuaja janë punë të pista, punët tuaja janë vjedhje, plaçkitje”.

Kreu i opozitës u shpreh, se me paratë që vidhen dhe shpërdorohen nga taksat dhe tatimet e qytetarëve, do të mjaftonin për të ndërtuar brenda dy vitesh rrugën e Arbrit, për të dyfishuar rrogat dhe pensionet, furnizimin me ujë dhe energji elektrike.

“Ne jemi në prag të ndryshimit, në prag të fitores dhe të largojmë qeverinë që ka si specialitet të saj vetëm vjedhjen”, përfundon fjalën e tij kreu i opozitës Berisha./tvklan.al