Partia Demokratike ka reaguar pasi Drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela është rikonfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit duke kaluar me sukses Vettingun.

Në një deklaratë për mediat deputeti Enkelejd Alibeaj, tha se ky vendim është marrë në shkelje të plotë të ligjit dhe në është konflikt të hapur interesi.

“Vendimi për Donika Prelën është marrë në konflikt të pastër interesi dhe në shkelje të plotë të ligjit, pasi nga verifikimi i kamerave të sigurisë të prokurorisë së krimeve të rënda, Komisioni i Vetingut do të kishte zbuluar se Donika Prela është takuar rregullisht me anëtaren e trupit të saj gjykues, Valbona Sanxhaktari në periudhën Nëntor- Dhjetor. 

Mbajtja e Donika Prelës është rasti tipik kur drejtësia është e kapur nga krimi dhe politika në shërbim të tij. Partia Demokratike ka denoncuar faktin se me firmën e Donika Prelës, si drejtuese e prokurorisë së Durrësit, është liruar nga burgu drejtuesi i bandës së Avdyljave, Astrit Avdyli, në makinë e të cilit u gjet një armë pa leje janarin e vitit që shkoi”.

Gjithashtu, Alibeaj tha se Reforma në Drejtësi ka dështuar  dhe se se Vettingu funksionon si një vegël politike në duart e Edi Ramës.

“Vendimi për mbajtjen në sistemin e drejtësisë të Donika Prelës është konfirmimi se reforma në drejtësi ka dështuar dhe se për të mbrojtur Edi Ramën nga drejtësia e vërtetë përbuzet dhe poshtërohet edhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit”.

Opozita. tha se ky rikonfirmim hedh poshtë vëzhguesit ndërkombëtarë.

Vëzhguesit Ndërkombëtarë gjetën se bashkëshorti i Donika Prelës ka fshehur të ardhurat, ka punuar në të zezë, duke mos paguar taksat për shumë vjet, duke mashtruar shtetin shqiptar, me dyshimin e fortë të pastrimit të parave nga korrupsioni”.

 

/tvklan.al