Parlamenti Evropian dha të enjten një mbështetje të fuqishme për përshpejtimin e procesit eurointegrues të vendeve të Ballkanit, dhe bëri thirrje për heqjen urgjente të vizave për vendet e këtij rajoni.

Nëpërmjet një rezolute të miratuar dje me 305 vota pro nga 350 në total, parlamentarët evropianë theksojnë se deri sa entet evropiane të miratojnë Traktatin e Lisbonës, procesi i zgjerimit nuk duhet lënë mënjanë apo ngadalësohet, veçanërisht nëse vendet në fjalë përmbushin të gjitha kushtet.

Mosmarrëveshjet në vendet e Ballkanit nuk duhet të jenë pengesë për zgjerimin thuhet në deklaratë. Parlamenti ka dhe mbështetur idenë e krijimit të një kornize ligjore investimesh për Ballkanin perëndimor që duhet harmonizuar gjatë vitit 2010 me ndihmën e Komisionit Evropian dhe enteve financiare.

Po ashtu edhe komisioneri për zgjerim në BE, Olli Rehn ritheksoi edhe një herë një deklaratë të mëparshme në të cilën u kërkua nga BE heqja e regjimit të vizave me vendet e Ballkanit  në qershor të këtij viti, përpara përmbylljes së presidencës çeke.

Rehn tha se perspektiva Evropiane është rruga e vetme e përparimit të Ballkanit duke shtuar me tej se të gjitha vendet e rajonit, të cilat plotësojnë kushtet mund të kërkojnë anëtarësimin e tyre në Bashkimin Evropian.

Për të disatën herë, Rehn  radhitet në mbështetje të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit në bllokun 27 anëtarësh. Hyrja në fuqi e  marrëveshjes së Stabilizim Asocimit të BE u cilësua nga Rehn si fillim i e një epoke të re për Shqipërinë si dhe garantoi mbështetjen e Brukselit për reformat e mëtejshme./tvklan.al