40% e punimeve në rrugën Durrës-Kukës-Morinë kanë përfunduar. Një e dhënë kjo që serviret nga Ministria e Transporteve që po ndjek punimet në këtë arterie të rëndësishme rrugore që do të lidhë Shqipërinë me Kosovën. Pamjet që shihni tregojnë se çfarë po ndodh aktualisht në këtë rrugë në segmente të ndryshme të saj.

Janë gjithsej 111 km rrugë për t’u ndërtuar nga 170 km që do të jetë e gjithë gjatësia e saj. Punohet në terren të vështirë duke zhvendosur të paktën 40 milion metër kupë dhe ajo çfarë duket e bën më interesante këtë rrugë, janë urat plot 40 të tilla më e larta 86 m. Pamjet që po shihni i përkasin pikërisht kësaj ure shumë pranë tunelit të Kalimashit ku punon firma “Bechtel-Enka”.

Rruga nis nga Durrësi vijon në Vorë, Fushë-Krujë për të kaluar në Milot, Rrëshen, Rreps, Thirrë, Kalimash, Kukës e në Morinë. Gjithçka është parashikuar të përfundojë në qershor të vitit 2009, një afat tërësisht i arritshëm sipas drejtuesve të Ministrisë së Transporteve të cilët i referohen ecurisë së deri tanishme të punimeve./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi

Operator: Enver Shehu