Era e fortë ka përkeqësuar situatën nga zjarri në bashkitë Dropull dhe Finiq.

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi njoftoi se prej orësh helikopteri Cougar, 21 efektivë të FA, 54 forca zjarrfikëse me 14 mjete zjarrfikëse nga Finiqi, Dropulli, Saranda, Himara, Delvina, Gjirokastra, Tepelena, Përmeti dhe Konispoli, efektivë të Policisë së Shtetit, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile po punojnë për izolimin e flakëve dhe për shmangien e çdo rreziku për banorët e zonave.

Në zonat kodrinore ku zhvillohet pjesa më e madhe e zjarrit forcat operacionale e kanë të vështirë ndërhyrjen si pasojë e tymit dhe vështirësisë për të ngjitur kodrat, ndaj është vlerësuar shtimi i kapaciteteve operacionale.

Peleshi i bën ndër të tjera një thirrje banorëve në fshatrat e përfshirë nga zjarret.

“U bëjmë thirrje të gjithë banorëve në fshatrat e përfshirë nga zjarret, të bashkëpunojnë me forcat në terren në rast nevoje, për të evituar çdo rrezik për jetën e tyre. Në gatishmëri të plotë, në çdo moment, për mbrojtjen e qytetarëve dhe pronës së përbashkët”, tha Peleshi./tvklan.al