Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Për të arritur në zbulimin e rrënojave të qytetit antik të Apollonisë, fillimet e gërmimeve nisën në vitin 1924. Ishte arkeologu francez Leon Rei, i cili në krye të një misioni arkeologjik francez në atë kohë zbuloi shumë vlera të lashtësisë së Apollonisë.

Ndër veprat e para arkeologjike të zbuluara në rrënojat e Apollonisë nga Leon Rei, janë Portiku, Odeoni, si dhe një pjesë e mureve rrethuese të qytetit antik. Më pas ky arkeolog çeli dhe të parin muzeum arkeologjik në Shqipëri, i ngritur në Vlorë.

Për nder të 80 vjetorit të fillimit të gërmimeve këtu, si dhe për nder të arkeologut francez, u zhvillua një aktivitet i cili u organizua nga Instituti i Arkeologjisë dhe Ambasada Franceze në Tiranë. Kështu në fillim u zbulua një pllakë përkujtimore vend në të cilin ka punuar dhe jetuar arkeologu Leon Rei, gjatë kohës së gërmimeve 80 vjet më parë. Më pas të ftuarit folën për rolin që ka luajtur ky arkeolog në zbulimin e Apolonisë./tvklan.al