Ndërtimi i fshatit turistik në Kakome, një nga projektet më të rëndësishme në fushën e turizmit mbahet peng.

Disa banorë të fshatit Nivicë paraditen e së mërkurës kanë bllokuar hyrjen në e gjirin e Kakomesë. Duket se në krye të këtij organizimi absurd që ka penguar punën e punëtoreve shqiptarë dhe të huaj të kompanisë Riviera, ka qenë pikërisht kryeplaku i fshatit.

Punëtoret janë detyruar të lenë në mes punimet në pritje që forcat e policisë të normalizojnë situatën, duke i larguar banorët nga zona ku shtrihet projekti. Por siç dhe e shihni nga këto pamje edhe më absurd është fakti se forcat e policisë e kanë ndjekur si spektatorë me qetësi të gjithë situatën e krijuar, duke mos marrë as më të voglën masë për të normalizuar gjendjen dhe ky nuk rezulton  të jetë rasti i parë kur forcat e policisë nuk ndërhyjnë për t’i hapur rrugën këtij investimi të ligjshëm të Riviera sh.p.k dhe Club Med.

Asgjë nuk e ka ndaluar kryeplakun e fshatit Nivicë dhe njerëz rreth tij të përfshihen në një fushatë të paprecedentë për të bllokuar aktivitetin e një biznesi të ligjshëm dhe të pa shqetësuar nga policia. Edhe më habi shkakton fakti që uniformat blu nuk ka ndërhyrë as në momentin kur banorët me forcë, kanë  ndalur punën e makinerive të vendosura aty.

Një situatë kjo që lë një shije të hidhur duke hapur rrugë veprimeve arbitrare që mbajnë peng një projekt të tillë, sikurse është ai në Kakome që synon ta shndërrojë këtë zonë në një prej zonave më të rëndësishme turistike në vend./tvklan.al

Gazetar: Njazi Sako