Për herë të parë pas 24 vitesh, Shqipëria nuk do ia dalë të përfaqësohet me peshëngritjen në Lojërat Olimpike “Paris 2024”. Performance e shkëlqyer e Briken Calja në Baterinë B nuk ka mjaftuar edhe pse peshëngritësi elbasanas arriti të fitonte divizionin me peshën trupore deri në 73 kilogramë.

Me zhvillimin e Baterisë A, Calja është renditur 4 kg më poshtë normës olimpike që do ta çonte automatikisht për në Lojërat Olimpike të kësaj vere. Tani gjithçka mbetet në dorë të “ftesave universale” që aplikon Federata Botërore e peshëngritjes për Olimpiadën, aty ku janë në dispozicion 3 ftesa për femra dhe 3 për meshkuj, teksa në garë gjenden 32 sportistë.

Në stilin e shkëputjes, peshëngritësi ynë ishte i saktë në të tre provat e tij teksa e ka nisur me 145 kg, duke e ngritur atë me sukses, për të vijuar më pas me 150 kg në provën e dytë, që gjithashtu e ka ngritur me sukses, ashtu siç ka ndodhur edhe në provën e 3-të, me 152 kg. Ndërkaq, në shtytje ai është rezultativ në provën e tij të parë me 181 kg, por dështoi në dy provat e tjera, me 185 kg.

Klan News