Policia e Tropojës ka mundur që të vërë në pranga një 24-vjeçar i akuzuar për plagosjen e një 33-vjeçari.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Tropojë, në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e personave në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim, kanë organizuar punën dhe si rezultat bënë të mundur kapjen dhe arrestimin e shtetasit: G. V.,  24 vjeç, banues në Bajram Curri”, thuhet në njoftimin e policisë.

I riu u kap në një banesë në fshatin Berishë. Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan edhe armën e zjarrit pistoletë që ai dyshohet se ka përdorur në vendin e ngjarjes.

Ngjarja në fjalë ndodhi më 10 Dhjetor në një lokal në qytetin e Bajram Currit. 24-vjeçari për motive të dobëta qëlloi me armë zjarri duke lënë të plagosur 33-vjeçarin me iniciale A.H.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tropojë, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.

Ndërkohë siç u raportua disa ditë më parë, i plagosuri ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ai u dërgua menjëherë në spitalin e Gjakovës ku mori ndihmën e nevojshme mjekësore./tvklan.al