Ky është momenti kur efektivi i policisë, Erjon Goxhara plagos me armë zjarri 45-vjeçarin Lorenc Kosta pasditen e së hënës në zonën e Komunës së Parisit.

Pamjet e siguruara janë fiksuar nga kamera e një biznesi, ku siç shihet, i plagosuri është duke lëvizur në këmbë dhe papritmas shfaqet efektivi i policisë jashtë shërbimit.

I veshur me një bluzë të kuqe dhe një çantë në qafë, ai nxjerr pistoletën dhe e qëllon 5 herë 45-vjeçarin. Pasi e ka lënë të plagosur në bark dhe këmbë,

Goxhara i bën video me celular të Lorenc Kostës dhe largohet me shpejtësi.

Referuar burimeve ai ka dyshime se fshihet në periferi të Tiranës, pasi për herë të fundit është parë në afërsi të zonës së Dajtit.  Aty ai ka shkuar pas ngjarjes me një taksi.

Bashkë me të ka qenë dhe djali i tij, i cili në deklarimet përpara oficerëve të policisë ka rrëfyer se i ati e ka marrë atë në telefon pas ngjarjes.

“Rreth orës 14:35 më ka marrë në telefon babai im dhe më ka thënë se kishte plagosur Lorencin me armë. Unë e kam pyetur i revoltuar se përse e bëri. Pas kësaj telefonate më ka marrë sërish dhe më ka thënë që të dilja te rrethi i Shkozës pasi do të shkonim në zonën e Freskut. Unë kam dalë në vendin ku më tha ta prisja. Pasi babi ka ardhur te rrethi i Shkozës në këmbë, ne kemi marrë një taksi dhe jemi nisur për në zonën e Freskut. Sapo kemi mbërritur te zona e Thesarit të Shtetit, kemi zbritur të dy nga taksia dhe shoferit të taksisë i tha të priste kurse mua më tha që ta ndiqja. Menjëherë në këtë moment sapo kemi zbritur na janë afruar 2 punonjës policie të veshur civil të cilët e kanë thirrur në emër babain tim dhe ai sapo i pa u largua me vrap mes pallateve duke u thënë këtyre personave që më mirë vras veten sesa të kalbem në burg”.

Ngjarja e rëndë dyshohet se erdhi pas një konflikti për motive të dobëta që punonjësi i policisë së kufirit, Erjon Goxhara tashmë i përjashtuar nga radhët e uniformave blu, kishte me të plagosurin.

Ky i fundit vijon të jetë në Spitalin e Traumës në kujdes intensiv, ndërsa policia është në kërkim të autorit. Për kapjen e tij janë angazhuar dhe forcat RENEA si dhe është vënë në dispozicion një shpërblim prej 10 mijë Eurosh për këdo që jep informacion për vendndodhjen e tij.

Tv Klan