“Çdo ushtri dhe jo vetëm ajo shqiptare përgatitet jo për të bërë luftë, por për të dhuruar paqe”, kështu i është përgjigjur gjenerali i Forcës Ajrore, Ferdinand Dimo pyetjes së gazetarit Blendi Fevziu.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Dimo ka thënë se baza ajrore e NATO-s në Kuçovë është një aeroport i mirëfilltë ushtarak ku mund të fluturojë çdo lloj avioni.

Ferdinand Dimo-Gjeneral i Forcës Ajrore: Sot në bazën ajrore të Kuçovës janë akomoduar 2 dronë “Bayraktar”, të cilët janë të armatosur. Por përveç asaj, dronët përdoren dhe për qëllime të ndryshme.

Blendi Fevziu: Sa kushtojnë dronë të tillë?

Ferdinand Dimo-Gjeneral i Forcës Ajrore: Droni në vetvete si armë, bashkë me pajisjet e komandimit-kontrollit dhe armatimit, afërsisht kushton 8 milionë Euro. Forca ajrore ka projekte për zhvillim dhe modernizim. Ne parashikojmë që shumë shpejt të pajisemi me sistemin anti-dronë dhe përveç asaj, do të pajiset me sistemet kundërajrore me bazën në tokë. Do të thotë se ato do të jenë me rreze të shkurtër dhe të gjatë veprimi. Do t’i shërbejnë mbrojtjes ajrore të Shqipërisë.

Blendi Fevziu: Sa veta akomodon baza e Kuçovës? Nëse do të vijë personel i huaj?

Ferdinand Dimo-Gjeneral i Forcës Ajrore: Në planin e zhvillimit, aktualisht janë duke u ndërtuar dhe elementë shtesë që do i shërbejnë jo vetëm bazës, por edhe komunitetit. Sot, në qendër të qytetit të Kuçovës është ndërtuar shtëpia e ushtarakëve me një akomodim me më shumë se 200 shtretër. Po krijohen dhe ambiente rekreasioni në të gjithë lehtësirat e domosdoshme. Në aspektin e sigursë, tashmë e dimë që siguria prevalon mbi gjithçka.

Blendi Fevziu: Ne sot kemi një aeroport ushtarak të mirëfilltë me standarde që mund të fluturojë çdolloj avioni?

Ferdinand Dimo-Gjeneral i Forcës Ajrore: Po.

Blendi Fevziu: Po na troket ndonjë luftë apo thjesht jemi duke u bër gati?

Ferdinand Dimo-Gjeneral i Forcës Ajrore: Çdo ushtri dhe jo vetëm ajo shqiptare përgatitet jo për të bërë luftë, por për të dhuruar paqe.  

/tvklan.al