Do të krijohet bashkësia e re politike evropiane

Ftesat për samitin dy ditor të shteteve evropiane që mbahet në datat 6 dhe 7 Tetor në Prage u  janë dërguar liderëve pjesëmarrës bashkërisht nga kryeministri i Çekisë, Petr Fiala, vendi i të cilit aktualisht ka kryesimin e BE-së, dhe nga Charles Michel, president i Këshillit Evropian.

Dilema më e madhe që është shfaqur rreth kësaj ideje, është nëse krijimi i një bashkësie politike evropiane do të ndikojë në procesin e zgjerimit të BE-së dhe do të shërbejë si një lloj zëvendësimi – së paku për një periudhë kalimtare, për anëtarësimin e disa shteteve në BE.

Ideja është që liderët, në nivel krejtësisht të barabartë, të takohen dy herë në vit.

Burimet diplomatike në Bruksel thonë se sjellja e Francës propozuesja e bashkësisë politike evropiane në raport me zgjerimin e BE-së ka ndryshuar dhe se ky shtet është më “miqësor” ndaj zgjerimit.

Franca ka qenë shumë e angazhuar për heqjen e pengesave për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Pa angazhimin e Francës, kjo vështirë se do të ndodhte. Franca, krahas Gjermanisë, po angazhohet edhe në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe, tani, Franca TASHME nuk është kundër liberalizimit të vizave për Kosovën.

Në selinë e BE-së në Bruksel thonë se ky forum do të shërbejë për forcimin e raporteve mes vendeve kandidate që duan të jenë në BE dhe vendeve të BE-së. Në këtë mënyrë, ato do të mund të përparojnë edhe në arritjen e qëllimeve të tyre për anëtarësim në BE.

Klan News