Vetëm pak ditë më parë poeti Preç Zogaj u nderua me çmimin “Lasgush Poradeci”  për veprën poetike “Gjallë Unë Pashë”. Një vëllim që përcjell tek lexuesi risi dhe vlera të reja në poezinë shqiptare.

Autori rrëfen se poezitë e tij janë ndjekëse të atyre të Poradecit, e në këtë kontekst thotë se libri i tij i ri i përshtatet çmimit të marrë.

Preç Zogaj: “Gëzimi është i dyfishtë kur shoh se emri i çmimit është “Lasgush Poradeci”, emri i një poeti që ka gdhendur emrin e vet në kujtesën e lexuesit si poeti lirik më i mirë që kemi deri më sot. Libri “Gjallë Unë Pashë” është një koleksion poezish për dashurinë, për tema që janë thelbësore për njeriun që është vdekja, raporti me të panjohurën, me fenë.”

Poezia e Zogajt është si një gjuhë e gjallë, një gjuhë që nuk flitet masivisht, por pa të cilën njerëzimi do të ishte memec.

Preç Zogaj: “Unë kam kënaqësinë ta ndaj me lexuesit e mi jo të shumtë çmimin “Lasgush Poradeci” dhe besoj se te ky çmim ata kanë gjetur sërish konfirmimin e zgjedhjes që kanë bërë, për të lexuar poezitë e mia.”

Zogaj do të sjellë së shpejti pranë lexuesve një tjetër botim. Kësaj here një roman me temë nga vitet e para të demokracisë në Shqipëri, në qendër të të cilit është fati tragjik i një të riu shqiptar.

Preç Zogaj: “Kam një libër të ri që e kam përgatitur dhe do shoh ditën e botimit së shpejti, është roman.”/tvklan.al