Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Pas situatës të krijuar nga mosmiratimi në parlament i dy ministrave, presidenti Moisiu ka thirrur sot në mesditë, kryeministrin Fatos Nano, të cilit i kërkoi të përcaktojë pozicionin e tij kushtetues, si dhe të japë mendimin se çdo të bëjë në ardhmen.

Presidenti shprehu mendimin, se parlamenti është vendi ku duhet provuar shkalla e mbështetjes reale të kryeministrit nga mazhoranca. Një çështje tjetër shqetësuese e shtruar nga presidenti, ishte ajo e drejtimit të dy ministrive nga zv/ministra dhe qeverisja nga zv/ministra, për të cilën zoti Moisiu nuk është dakord.

Presidenti kërkoi vazhdimin e bisedimeve pas kthimit të Nanos nga Brazili, ku ai do të marrë pjesë në takimin e Internacionales Socialiste. Gjithashtu presidenti zhvilloi takime dhe konsultime paraprake me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese Fehmi Abdiu dhe me kryetarin e Kuvendit Servet Pëllumbi. Presidenti do të vazhdojë takimet konsultative deri në zgjidhjen e përshtatshme në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe ligjet në fuqi./tvklan.al

Gazetare – Aranita Brahaj